Milot Rashica: Synoj sa më shumë gola dhe asiste në sezonin e ri

Futboll

Milot Rashica: Synoj sa më shumë gola dhe asiste në sezonin e ri

Më: 10 korrik 2019 Në ora: 18:06
Milot Rashica

Milot Rashica ka për qëllim të shënojë sa më shumë gola dhe të dhurojë sa më shumë asiste, në mënyrë që t’i ndihmojë klubit të tij Werder Bremen t’i arrijë synimet në sezonin 2019/20.

Anësori i Kombëtares së Kosovës i mbaroi pushimet verore para një jave dhe u rikthye në Bremen për t’i nisur përgatitjet parasezonale me skuadrën e Werderit, duke i pasur të qarta synimet për sezonin e ri: gola dhe asiste.

“Të shënoj dhe të asistoj sa më shumë dhe të përpiqem ta jap më të mirën për ta ndihmuar ekipin t’i arrijë synimet tona”, u përgjigj Rashica kur u pyet për synimet e sezonit të ri në faqen zyrtare të Werderit në Instagram.

Kosovari është shndërruar në lojtarin kryesor të Bremenit, për të cilin do ta mbajë numrin 7 nga sezoni i ri, pasi vetëm në vitin 2019 i shënoi 11 gola dhe pesë asiste.

Forma e treguar në pjesë e dytë të sezonit të kaluar dhe fakti se kapiteni dhe mbase lojtari më i mirë i klubit, Max Kruse, u largua këtë verë, tregojnë se kosovari do të jetë njeriu kryesor në Bremen në edicionin 2019/20.  

I pyetur sesi ndihet në rrethanat e reja, ai u përgjigj: “Që prej ditës së parë jam ndier vërtet si në shtëpinë time, me qytetin me tifozët dhe me gjithçka tjetër. Është e mahnitshme si tifozët na përkrahin në çdo ndeshje”.

Vushtrriasi është lojtar i përkushtuar dhe 100 për qind i përqendruar në karrierën e tij profesioniste, siç tregon edhe vetë.

“Më pëlqen të çlodhem në shtëpi dhe të jem gati për stërvitjen e ardhshme apo ndeshjen e ardhshme”.  

Formën mbresëlënëse 23-vjeçari e barti edhe te ekipi i tij kombëtar, Kosova, në ndeshjet kualifikuese në fillim vit.

Ai i ndihmoi edhe Kombëtares dardane ta regjistroi fitoren e parë historike në një ndeshje kualifikuese për Kampionat Evropian duke shënuar në triumfin 3:2 ndaj Bullgarisë në Sofje në fillim të qershorit.

Rashica me Werderin e tij do ta nisin sezonin e ri në Bundesligë më 16 gusht. Një muaj më vonë, 23-vjeçari do të angazhohet në ekipin kombëtar verdhekaltër, në dy ndeshjet vendimtare në Grupin A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat