Copenhagen po mendon për përballjen me Feronikelin në Champions League

Futboll

Copenhagen po mendon për përballjen me Feronikelin në Champions League

Më: 10 korrik 2019 Në ora: 20:42
Feronikeli

Barazimi 2-2 në udhëtim ndaj The New Saints i ka dhënë shpresa Feronikelit se mund të kualifikohet në rrethin e dytë kualifikues të Champions Leagues. Madje, edhe Copenhagen beson më shumë se kundërshtari i saj i parë do të jetë kampioni i Kosovës

Feronikeli e siguroi një barazim sensacional në Uells ndaj ekipit The New Saints.

Kampioni i Kosovës ishte duke humbur 0-2, në ndeshjen e parë kualifikuese të Champions Leagues, por u rikthye në minutat e fundit duke shënuar dy herë.

Dhe, ky barazim ia ka shtuar shpresat dhe gjasat ekipit nga Drenasi që të kualifikohet në rrethin e dytë eliminator të kësaj gare duke e pasur parasysh se ndeshjen e kthimit e zhvillon të martën e ardhshme në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Madje, edhe Copenhagen, e cila në rrethin e dytë kualifikues do ta presë fituesin e duelit Feronikeli – The New Saints, beson se më shumë gjasa ka të takohet pikërisht me “Niklin”.

“Copenhagen ka mundësi të udhëtojë drejt Kosovës. Feronikeli e nxori një barazim në udhëtim 2-2 ndaj ekipit uellsian The New Saints në rundin e parë kualifikues të Champions Leagues. Për këtë, Feronikeli mund të bëhet kundërshtari i parë i FC Copenhagen në kualifikimet e Champions League”, shkruan mediumi i njohur danez, “Ekstrabladet” në versionin e tij online.

“Kampioni danez do t’i nis garat nga sezoni i dytë kualifikues dhe nuk dihet ende se cila skuadër, Feronikeli apo The New Saints do të luajë me Copenhagen. Gjithçka do të zbulohet të martën e ardhshme, kur këto dy skuadra do të përballen në Kosovë. Feronikeli do të ketë përparësi pasi e zhvillon në shtëpi ndeshjen e kthimit”, vazhdon shkrimi.

Ndeshja e parë ndërmjet Copenhagen dhe fituesit të duelit Feronikeli – The New Saints do të luhet më 23 korrik, kurse ajo e kthimit në kryeqytetin danez më 31 korrik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat