Presidenti i Napolit: Real Madridi po kërkon shumë para për Jamesin

Futboll

Presidenti i Napolit: Real Madridi po kërkon shumë para për Jamesin

Më: 11 korrik 2019 Në ora: 10:08
James Rodrigues

James Rodriguez dëshiron ta transferohet në Napoli, mirëpo klubi ende nuk ka arritur marrëveshje me Real Madridin për çmimin e tij, sipas presidentit të klubit italian, Aurelio De Laurentiis.

Kolumbiani kishte punuar me Carlo Ancelottin gjatë kohës së tij në Real Madrid dhe Bayern Munich dhe tani presidenti i Napolit e ka konfirmuar se trajneri italian dëshiron të punojë sërish me ish-lojtarin e tij.

James është duke kërkuar të largohet nga Santiago Bernabeu, pasi që periudha e tij si i huazuar për dy sezone në Bayern Munich përfundoi me vendimin e klubit gjerman për të mos e blerë kolumbianin për 42 milionë euro.

Një transferim në Napoli ka qenë i spekuluar gjatë kohës së fundit, përkundër që vetë Jamesi e pranoi muajin e kaluar se Real Madridi do ta ketë një ndikim të madh në hapin e radhës të karrierës së tij.

Dhe De Laurentiis thotë se Napoli është i gatshëm të arrijë marrëveshje me klubin e La Ligës.

“Jamesi është futbollisti i cili, pas Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messit, konsiderohet njëri ndër më të mirët”, ka thënë De Laurentiis në një intervistë për Corriere dello Sport.

“Ancelottit i pëlqen ai shumë dhe Jamesi dëshiron të transferohet në Napoli, por ne jemi duke e pritur një kërkesë më të arsyeshme nga Real Madridi. Çmimi i tyre është shumë i lartë, sipas  mendimin tonë”.

Në anën tjetër, De Laurentiis nuk tingëlloi shumë i entuziazmuar për transferimin e Mauro Icardit nga Interi, kur u pyet për këtë gjë në intervistën me të përditshmen italiane, Corriere dello Sport, ku i theksoi dobësitë e Icardit.

“[Trajneri i Napolit, Carlo] Ancelotti ka thënë se ai nuk do ta shkëmbente Icardin me Lorenzon dhe ai ka të drejtë. Icardi mund të ketë gjithmonë dëshirë t’i bashkohet Juventusit, por unë e preferoj Lorenzon para tij gjithashtu”, u shpreh presidenti i Napolit.

“Lorenzo është lloji i futbollistit për të cilin kemi nevojë, përderisa në fazën e sulmit ne e kemi edhe Arkadiusz Milikun dhe Dries Mertensin”.

“Nuk do ta mohoj se kemi pyetur për Icardin. Nuk do ta mohoj se ai është shumë i talentuar: Icardi është një lojtar i mrekullueshëm, por shumë gjëra janë thënë për të dhe tani ai duhet më i vjetër sesa 26-vjeçar”.

“Duke e parë nga larg, ai ta jep përshtypjen që nuk e kanë trajtuar në mënyrën e duhur, i është harxhuar kot talenti dhe se ai nuk e kishte kuptuar rëndësinë e rolit që ai e kishte. Por, adhurimi ynë për atë si lojtar nuk mund të dyshohet”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat