Tifozët s’mund të marrin pjesë në prezantimin e Griezmannit në Barçë

Futboll

Tifozët s’mund të marrin pjesë në prezantimin e Griezmannit në Barçë

Më: 11 korrik 2019 Në ora: 14:44
Antonie Grienzman

Barcelona pritet që së shpejti t’i paguajë 120 milionë eurot për t’ia shkëputur kontratën Antoine Griezmannit me Atletico Madridin. Sapo ta bëjnë këtë, katalonasit do të fillojnë me përgatitjet për inkuadrimin e francezit në skuadër.

Askush në klub, as drejtuesit e as tifozët, nuk e kanë harruar dokumentarin e tij kontrovers nga vera e kaluar, kur ai e refuzoi në mënyrë publike Barcelonën për të qëndruar edhe një vit tjetër në Atletico Madrid.

Për shkak se fusha në stadiumin e Barcelonës, “Camp Nou”, është duke u ndryshuar, Griezmanni nuk do të mundë të prezantohet aty.

Përderisa Frenkie de Jong u reklamua në po këtë fushë vetëm javën e kaluar, e njëjta gjë nuk iu mundësua edhe Netos, i cili nuk u prezantua aty edhe pse puna në fushë nuk kishte filluar ende.

Disa lojtarë në të kaluarën janë prezantuar në “Mini Estadi” që ndodhet përballë “Camp Nou”, mirëpo edhe kjo mundësi është përjashtuar pasi që aty po mbahen shfaqjet e cirkut “Cirque du Soleil”.

Kështu që Griezmanni nuk do të prezantohet para tifozëve dhe mundësia e parë për tifozët blaugranë për ta parë drejtpërdrejt francezin me fanellën e klubit do të jenë më 4 gusht, në ndeshjen e Joan Gamper.

Kjo ndeshje është tri javë larg nga tani, kështu që kjo i jep Barcelona edhe më shumë kohë për ta përmirësuar imazhin e Griezmannit dhe në mënyrë që futbollisti të tentojë t’ua fitojë zemrën tifozerisë së re të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat