Kallaba: Të jesh trajnere femër e futbollit, punë pak më e vështirë  - Bota Sot
Kallaba: Të jesh trajnere femër e futbollit, punë pak më e vështirë 

Futboll

Kallaba: Të jesh trajnere femër e futbollit, punë pak më e vështirë 

Nga: Kemajl Goca Më: 12 korrik 2019 Në ora: 16:05
Florentina Kallaba

Pak shumë pak kemi trajnere femra të futbollit më Kosovë! Është nevojë e domosdoshme që të rritet numri i trajnereve femra, që të punojnë me klubet dhe shkollat e ndryshme të futbollit në vendin tonë. Sepse sa më shumë që kemi trajnere femra, aq më mirë do t’i kanë punët edhe klubet sportive!

Image

KF 2 Korriku

Pa dyshim që duhet veçuar Florentina Kallabën, e cila është trajnere për grupmoshat e reja (-5-11 vjeç) e klubit të futbollit 2 Korriku nga Prishtina. Florentina është një shembull i veçantë për përkushtimin që ka në punë! Ajo punon me ritëm të shtuar me njomakët, gjithnjë në kërkim të zbulimit të talenteve të ri. Është krenare që është pjesë e 2 Korrikut, kolektiv që njihet si çerdhe e talenteve.

Florentina është e mishëruar me sportin, veçmas me futbollin. Është e veçantë edhe për nga natyra e flokëve që ka, shumë të rralla nga sportistet tona. Ajo e pranon se nuk është lehtë të jesh trajnere, sepse duhet angazhim dhe profesionalizëm.

Është e kënaqur me talentet që ka klubi i 2 Korrikut, po ashtu edhe për kushtet që i ka prej më të mirave në vendin tonë. Tina është ambicioze dhe beson e shpreson se me punë e angazhim shumë shpejt do të rritet edhe niveli i futbollit femëror. Në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”  ka treguar se sa është vështirë si femër që të punojë si trajnere, sepse krahas me futboll në të kaluarën ka qenë edhe një atlete e suksesshme!  

Image

“Bota sot”: Sa është e vështirë të jesh trajnere, a ndjeni presion në punën që bëni?
Florentina Kallaba:
Si çdo profesion tjetër, ashtu edhe profesioni si trajnere i ka vështirësitë e veta, por kur një punë bëhet me pasion dhe dëshirë, vështirësitë tejkalohen shumë lehtë. Të jesh trajnere femër e futbollit mund të jetë punë pak më e vështirë jo për shkak të angazhimit të madh por për shkak të mentalitetit që tek ne ende ekziston por është gjithashtu kënaqësi e madhe të punosh, sidomos me fëmijë. Presion nuk kam nga askush, mundohem të jap më të mirën nga vetvetja për fëmijët që i stërvis. Mund të them që kam përgjegjësi shumë të mëdha sepse të stërvisësh një skuadër do të thotë t'iu mësosh të punojnë shumë dhe njëkohësisht të kenë disiplinë të madhe për t'i arritur synimet që ata kanë përcaktuar për të ardhmen. 

Image

“Bota sot”: U bë një kohë që jeni në ekipin e 2 Korrikut, sa jeni e kënaqur me kushtet dhe atmosferën?
Florentina Kallaba:
Po, unë tash e dy vite jam pjesë e klubit të 2 Korrikut.  Jam ndier shumë mirë që nga fillimi për këtë pozitë që më kanë ofruar pasi që ka qenë dëshirë e imja e kahmotshme. Në klubin e 2 Korrikut kemi pjesëmarrje të madhe dhe interesim të vazhdueshëm të fëmijëve. Kjo për shkak se ata kanë njerëz të kualifikuar dhe po i japin fëmijëve motivim që të merren më shumë me sport.

Image

“Bota sot”: A po rritet niveli te femrat?
Florentina Kallaba:
Nuk mund të themi se është niveli shumë i kënaqshëm pasi që femrat kanë hezituar t'i bashkohen futbollit për shkak të paragjykimeve, por pas pranimit në instancat e UEFA-së dhe FIFA-së dhe sukseseve që po arrihen edhe në futbollin e femrave ka një interesim më të madh, e sidomos tek moshat e reja, gjë që na bën të jemi të kënaqur dhe të shpresojmë që do të kemi një të ardhme të ndritur edhe në futbollin e femrave shumë shpejtë.
“Bota sot”: Kush ju nxiti që të punoni si trajnere dhe a keni oferta nga klubet e tjera?

Florentina Kallaba: Gjatë kohës kur kam qenë lojtare aktive e futbollit gjithmonë kam pasur ambicie të jem pjesë e fushës së gjelbër në vazhdim të karrierës time edhe pas pensionimit nga futbolli aktiv. Si gjithmonë mbështetja dhe përkrahja e familjes dhe miqve që kisha përreth nuk mungonte asnjëherë. Ofertat nga klubet e tjera janë gjithmonë prezente por unë jam e fokusuar të jap më të mirën në ekipin e 2 Korrikut, meqë tanimë jemi familjarizuar shumë dhe ndihem si në shtëpinë time. 

Image

“Bota sot”: Me cilat kategori punoni në 2 Korrik?
Florentina Kallaba
: Unë punoj me fëmijët e moshave 5 deri në 11 vjeç. Janë të ndarë në kategori nga ata fillestarë deri tek ata që kanë më shumë vite që stërviten dhe rrjedhimisht kanë më shumë përvojë.
“Bota sot”: Çfarë synoni?
Florentina Kallaba:
Synimet e mia gjithmonë janë bazuar në punën e madhe që duhet të bëj dhe sukseset që më pas do t’i kem. Edhe pse jam femra e parë në Kosovë që kam marrë licencën B- 'Elite Youth'  nga UEFA në vitin 2015, kam synim të përfundoj të gjitha licencat tjera për trajnere në mënyrë që të jap një kontribut shumë më të madh në futboll duke zbatuar të gjitha eksperiencat që kam përfituar, sidomos në futbollin e femrave dhe si synim kryesor që mund të ceki është udhëheqja e përfaqësueses tonë të futbollit të femrave drejt ndonjë evropiani pse jo edhe ndonjë botërori. 
“Bota sot”: Si e sheh futbollin e femrave?
Florentina Kallaba
: Shoh që ditë e më shumë interesimi për futboll tek femrat po rritet dhe kam një bindje që po të punohej që nga moshat e reja edhe tek femrat do të kemi shumë shpejt një përfaqësuese shumë të fortë dhe të denjë për rajon dhe pretendente për Europë.

Kush është Florentina Kallaba?

Florentina Kallaba ka lindur më 18.06.1992 në fshatin Roganë të komunës së Dardanës (ish Kamenicës). Shkollën fillore dhe atë të mesme e ka përfunduar në Roganë ndërsa studimet universitare bachelor i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës - Fakulteti Ekonomik, dega banka dhe financa dhe kontabilitet. Që nga fëmijëria ka filluar të merret me sport në disiplina të ndryshme.

Image

Në aftësitë e saj sportive mund të përfshijmë: atletikën, volejbollin, basketbollin dhe futbollin. Ka qenë pjesë e klubit të atletikës KA Rogana për tetë vite me radhë. Gjatë kësaj periudhe ajo ka marrë pjesë në gara komunale, rajonale dhe kombëtare. Në nivelin komunal dhe rajonal ka qenë kampione ndërsa në nivelin kombëtar ka qenë nënkampione e Kosovës në garat e atletikës. Është themeluese e klubit futbollistik të femrave KFF Intelektualet nga Gjilani. Po ashtu, ka qenë edhe kapitene e këtij klubi dhe ka ndjekur trajnime dhe seminare të ndryshme që janë organizuar lidhur me futbollin dhe futbollin e femrave në veçanti.

Pastaj, në vitin 2015 ka ndjekur trajnimin për trajnere të organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës në bashkëpunim me Federatën e  Futbollit Gjerman, me ç’rast është pajisur me licencë UEFA- B 'Elite Youth'. Veçantia e kësaj është që ka qenë femra e parë në Kosovë që është pajisur me këtë lloj licence. Rrugëtimi sportiv i saj nuk përfundon këtu. Ajo ka dy vite që punon si trajnere futbolli me grupmoshat 5-11 vjeç në klubin e futbollit 2 Korriku në Prishtinë. Paralelisht me angazhimet që ka në këtë klub, ajo ushtron edhe profesionin e referes ne futsall.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...