Mesazh prekës nga Barella, një faqe gazete kushtuar Cagliarit

Futboll

Mesazh prekës nga Barella, një faqe gazete kushtuar Cagliarit

Më: 13 korrik 2019 Në ora: 13:29
Nicolò Barella

"Të dashur tifozë kuqeblu, i dashur klub, i dashur president, të dashur shokë, po përjetoj një ndjenjë të çuditshme. Karriera ime si futbollist profesionist po më largon nga toka ime, nga qyteti im, nga familja ime dhe nga miqtë e mi më të dashur. Po më çon matanë detit, larg shtëpisë, larg nga shtëpia ime: Cagliari".

Kështu nis letra e gjatë e lamtumirës nga Nicolò Barella, i cili ka blerë një faqe të tërë gazete të së përditshmes Unione Sarda, për t'u përshëndetur me të gjithë pas transferimit tek Interi për 45 milionë euro.

Mesfushori 22-vjeçar ka lindur në Cagliari dhe është rritur në klubin sard, ndaj ndarja me tokën dhe klubin e tij nuk është e lehtë.

"Mund të them se ka qenë shtëpia ime që nga dita që u bashkova me të rinjtë, ose ndoshta ka qenë gjithmonë.  Sepse jam një djalë me fat: pata fatin të mbroja ngjyrat e skuadrës për të cilën kam bërë tifozllëk që kur isha fëmijë.

Kam realizuar ëndrrën time, të lindur në fushat në periferi, ku babai më merrte në ndeshjet e tij, duke qëndruar pranë fushës, duke veshur një fanellë të Cagliarit, duke shkelmuar topa më të mëdhenj se unë. Duke u rritur, shkova rregullisht në stadium, duke vuajtur për ngjyrat tona. Kam admiruar nga tribuna klasin e kampionëve si Andrea Cossu, Marco Sau e Daniele Conti. Erdhi një moment kur u gjenda në stërvitje dhe ndaja dhomën me ta. Nuk mund t'i përshkruaj emocionet që kam përjetuar kur për herë të parë u futa në dhomat e zhveshjes së ekipit të parë në qendrën stërvitore të klubit në Asseminello.

Nga të gjithë u përpoqa të mësoja diçka, në aspektin teknik dhe jo vetëm. Ata ishin mësues të mirë, transmetuan tek unë ndjenjën e sakrificës, vlerën e të vuajturit dhe të përfshirjes në grup. Dashuria për fanellën ishte brenda meje. U përpoqa të punoja shumë për të ndihmuar ekipin të arrinte të gjitha objektivat. Në fushë dhashë gjithçka, gjithmonë, nga minuta e parë deri në të fundit. Ndodhi kështu në çdo ndeshje. Kam humbur dhe kam dhënë goditje, kam debatuar me arbitrat dhe jam grindur me kundërshtarët. Kam festuar, bërtitur dhe qarë.

Të luaj për Cagliarin  është kënaqësi, nder dhe përgjegjësi: diçka që i bën më të ëmbla fitoren dhe dyfishon peshën në zemër kur humbet. Përtej kënaqësive personale, kam vendosur skuadrën në plan të parë. Ishte e vetmja gjë që kishte rëndësi. Fanellën e Cagliarit jam munduar ta nderoj me të gjitha forcat, besoj se ia kam dalë mbanë.

Tani nis një kapitull i ri në karrierën time, jam gati të luftoj dhe të jap gjithçka për ngjyrat e mia të reja dhe për tifozët e mi të rinj. Megjithatë, do ta kem gjithnjë në zemër tokën time dhe njerëzit e saj.

Me dashuri, Nicolò".

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat