Hysaj refuzon gjermanët, Napoli ul çmimin. “Fërkon duart” Atletico Madrid

Futboll

Hysaj refuzon gjermanët, Napoli ul çmimin. “Fërkon duart” Atletico Madrid

Më: 13 korrik 2019 Në ora: 13:55
Elseid Hysaj

Atletico Madrid po shqyrton disa opsione për anën e djathtë të mbrojtjes dhe Elseid Hysaj paraqitet një nga zgjidhjet "low cost". Transferimi i tij mund të jetë shumë i veçantë dhe pritet të zyrtarizohet ditët e ardhshme. Të paktën kështu shkruan sot spanjollja “AS”. Kontaktet e “Colchoneros” me Napolin kanë filluar më shumë se një muaj më parë. Klubi i Serie A, që posedon kartonin e shqiptarit, kërkoi 25 milionë euro në fillim, por me këtë shifër negocimi u bë i pamundur. 

Nënkampionët e Italisë mendonin se do t’u vinte ndonjë propozim edhe nga Juventusi, për shkak të vajtjes së trajnerit Maurizio Sarri aty (tekniku dhe shqiptari kanë ruajtur një marrëdhënie të madhe, që nga koha tek Empoli), por në fund të fundit nuk mbërriti. Oferta e Schalke 04 ishte jobindëse për lojtarin, i cili duket se do të jetë i lumtur për t’u vënë nën urdhërat e Diego Simeone.

Hysaj e ka bërë publike dëshirën e tij për ta lënë Napolin (vullneti im është të përjetoj eksperienca të reja dhe të përpiqem të fitoj diçka). Klubi napolitan e ka të mbuluar atë pozicion, teksa ka marrë Di Lorenzo nga Empoli. Ideja është që të dyja palët të ndahen sa më parë të jetë e mundur, prandaj çmimi i transferimit të shqiptarit ka filluar të bjerë. Sipas asaj që bën me dije “AS”, në kontaktet e ditëve të fundit, italianët i kanë ulur kërkesat e tyre në 15 milionë euro. 

Me këtë zbritje, “Rojiblancos” janë shumë komodë për të firmosur me mbrojtësin shqiptar. Gjatë javës së ardhshme është planifikuar takimi me përfaqësuesit e lojtarit, i cili mund të jetë vendimtar. Ndërkohë, Hysaj mbërriti dje në Napoli dhe nisi stërvitjen nën drejtimin e Carlo Ancelotti. Shpresa e tij është që të largohet sa më shpejt, që të veshë fanellën kuqebardhë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat