Zbulon pyetjet që ia bënë në CAS për Skënderbeun

Futboll

Zbulon pyetjet që ia bënë në CAS për Skënderbeun

Më: 14 korrik 2019 Në ora: 12:39
Zbulon pyetjet që ia bënë në CAS për Skënderbeun

Sabjen Lilaj luajti për afro 7 vite në Korçë, duke ia kushtuar pjesën më të madhe të karrierës skuadrës së vendlindjes (edhe pse me origjinë është nga Maliqi).

Mesfushori fitoi gjithçka te Skënderbeu, duke bërë historinë bashkë me një grup lojtarësh kampionë, të cilët arritën të luanin dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Europës.

Pas dënimit të klubit nga UEFA dhe ankimimit për rrëzimin e vendimit në KAS, u zhvilluan disa seanca dëgjimore në Lozanë.

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, krahas presidentit Ardjan Takaj, thirri edhe ish-kapitenin Bledi Shkëmbi, si dhe ish-mesfushorin Sabjen Lilajn, në një seancë dëgjimore me palët në selinë e KAS-it më 16 prill 2019. Të dy protagonistët ndër vite të korçarëve dëshmuan, ndërsa si për ironi të fatit, aktualisht asnjë prej tyre nuk është pjesë e klubit.

“Panorama Sport” kontaktoi dje me Lilajn, i cili ndodhej në Izrael, pasi sot do të prezantohet zyrtarisht te skuadra e re në Superligën vendëse, Sektzia Nes Tziona.

I pyetur për dëshminë në KAS, mesfushori tregoi se çfarë kishte ndodhur në seancën dëgjimore. “Më kanë bërë vetëm dy pyetje gjyqtarët në panel”, ka thënë fillimisht Lilaj ekskluzivisht për gazetën për të treguar më pas pyetjet që i bënë. “Ke parë të trukohet ndonjë ndeshje në kohën kur ke luajtur me Skënderbeun? Ke dëgjuar ndonjë gjë në fushë?. Këto ishin të vetmet pyetje që më bënë dhe u mbyll gjithçka në pak sekonda. Unë u jam përgjigjur me ‘jo’ të dyja pyetjeve”, sqaroi dje ish-mesfushori i Skënderbeut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat