Shqiptarët e Shkupit kërkojnë kualifikimin në Europa League!

Futboll

Shqiptarët e Shkupit kërkojnë kualifikimin në Europa League!

Më: 17 korrik 2019 Në ora: 18:07
Shqiptarët e Shkupit kërkojnë kualifikimin në Europa League!

Skuadra shqiptare Shkupi nesër në orën 20.30 përballet me Pyunikun në kuadër të ndeshjes së kthimit të raundit të parë eliminatorë në Europa League, ndërsa para kësaj sfide shumë të rëndësishme para gazetarëve në konferencën për shtyp kanë folur trajneri Umit Karan dhe kapiteni Muharem Bajrami.

Edhe përkrahë rezultatit pozitiv 3:3 të realizuar javën e kaluar në Armeni, numri një i stafit teknik mendon që kualifikimi mbetet çështje e hapur dhe pretendon që ekipi do të bëjë edhe një paraqitje të mirë pranë tifozëve tanë për të vazhduar aventurën Europiane më tej.  “Ndoshta askush nuk kishte pritur qe te arrijmë deri këtu në futboll.

Pjuniku na ka parë si një ekip e vogël, por Shkupi tregoi se është e fortë dhe pse nga viti I kaluar kishim vetëm dy lojtarë, ndërsa të gjithë të tjerët janë të rinj. Në garat evropiane gabimet nuk falen, edhe pse ne në kampionatin tanë mund të gabohet dhe të bëhen përmirësime, por kundërshtarët evropiane nuk falin asnjë gabim.

Na pret një ndeshje e rëndë, pasi Pjuniku është skuadër e fortë. Ne nuk do të luajmë që me barazim 0:0 të kualifikohemi, por do të luajmë lojën tonë dhe shpresojmë se mund të kualifikohemi”, u shpreh Karan. I të njëjtit mendim është edhe kapiteni i skuadrës, i cili mendon se ende asgjë nuk është kryer, duke deklaruar se ndeshja e nesërme do të jetë më e vështirë se takimi i luajtur si mysafir.

“Vërtetë kemi një rezultat pozitiv, por kjo nuk do të thotë asgjë. Mendoj se do të jetë dy herë më e vështirë përballja se sa takimi i parë. Pjuniku e di me kë ka punë, por edhe ne e dimë pozitën tonë. Shpresojë se në fund do të gëzojmë publikun dhe tifozët tanë ‘Shvercerët’ dhe të kualifikohemi në raundin e dytë”, tha Bajrami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat