Barcelona në hall, shteti i kërkon paratë e... Neymarit!

Futboll

Barcelona në hall, shteti i kërkon paratë e... Neymarit!

Më: 18 korrik 2019 Në ora: 12:58
Neymar

Nuk ka ditë që të mos dalë ndonjë lajm i bujshëm për Neymar, që prej kohësh më shumë përmendet për keq, sesa për mirë.

Sulmuesi brazilian, i cili shpreson të largohet nga PSG këtë verë, është në telashe me organet tatimore në Spanjë, sepse u detyrohet 26 milionë euro në taksa të prapambetura.

Në këtë mes mund ta pësojë Barcelona, sepse autoritetet kërkojnë t'ia marrin klubit katalan 35 milionë eurot që u detyrohet në total Neymar, duke përfshirë interesat dhe gjobat.

Barcelona është ende në gjyq me Neymar për 26 milionë euro, një bonus që sulmuesi duhej ta merrte kur rinovoi për herë të fundit, shifër që Barcelona nuk ia ka dhënë, duke e konsideruar si klauzolë të pavlerë, për shkak se Neymar iku te PSG pas rinovimit.

Tani El Mundo raporton se ajo shifër do t'i konfiskohet Barcelonës, duke qenë se prej kohësh nuk po arrihet një marrëveshje mes klubit, lojtarit dhe autoriteteve.

Natyrisht, një lajm që largon edhe më shumë Neymarin nga Barcelona, pasi duket pa logjikë që të kompletohet transferimi, në një kohë që është një gjyq i hapur dhe Barça mund të humbasë miliona euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat