Zeqiri impresionohet me talentet e shumtë që ka në shkollën e tij

Futboll

Zeqiri impresionohet me talentet e shumtë që ka në shkollën e tij

Nga: Kemajl Goca Më: 21 korrik 2019 Në ora: 19:47
Shkolla e futbollit Koha

Disa prej ish futbollistëve të mirënjohur në Kosovë janë të përfshirë në punën me grup-moshat e reja! Ish sulmuesi i Gjilanit, Arben Zeqiri, punon me përkushtim të madh me shkollën e futbollit “Koha” nga Gjilani.

Image

Pjesë e kësaj shkolle që drejtohet me shumë sukses nga Zeqiri, janë shumtë talent, të cilët në një të ardhme të afërt mund të jenë bazë për përbërjen e parë të skuadrave të ndryshme në vendin tonë.

Duhet kujtuar, se Zeqiri ka qenë sportisti më i mirë i ri në Gjilan në vitin 2002, pastaj në vitin 2007 sportisti më i mirë i vitit në Gjilan, ndërsa për vite të tëra ka qenë ndër mesfushorët më të mirë në futbollin tonë, shumë herë trajnerët dhe ekspertët e quanin Sneijderi i Kosovës.

Zeqiri flet për gazetën kombëtare “Bota sot”, për ecurinë në shkollën e futbollit “Koha”, përmend disa nga talentet që pritet shumë në të ardhmen! Zeqiri impresionohet me talentet e shumtë që ka në shkollën e tij.

“Bota sot”: Keni pasur një karrierë të bujshme si futbollist, anëtar i FC Gjilanit, çfarë po bën tani Arben Zeqiri?
Arben Zeqiri:
Kam qenë aktiv si futbollist për 15 vite rresht, për KF Gjilani kam luajtur për 13.5 vite rresht derisa 1.5 vite kam luajtur edhe për KF Drita. Nga viti 2004 jam mësimdhënës i edukimit fizik dhe sportit në gjimnazin ‘Zenel Hajdini’ në Gjilan, derisa me të përfunduar karrierën si futbollist në vitin 2014 e kam hapur shkollën time private të futbollit ku kryej detyrën e trajnerit duke punuar me gjeneratat e reja. Në vitin 2016 jam përzgjedhur në mesin e 8 instruktorëve më të mirë të fitnesit fizik nga garda presidenciale e Emirateve te Bashkuara Arabe, në konkursin që është mbajtur në Prishtinë, ku për dy vite rresht kam kryer detyrën e trajnerit kondicional duke i përgatitur, testuar dhe vlerësuar në aspektin fizik rekrutet e Gardës Presidenciale të Emirateve të Bashkuara Arabe në qytetin e bukur të Dubait. Aty kam punuar për dy vite rresht, me 2016 dhe 2017 ,derisa nga janari i vitit 2018 jam rikthyer në shkollën e futbollit duke punuar me gjeneratat e reja dhe talentet e rinj të futbollit në shkollën time private të futbollit ‘Koha’.

Image

”Bota sot”: Shkolla e futbollit “Koha” nga Gjilani, si rrodhi kjo ide?
Arben Zeqiri:
E tërë jeta ime i është kushtuar sportit në veçanti futbollit dhe kualifikimit në këtë lëmi duke magjistruar në vitin 2011 në Fakultetin e Shkencave Sportive në Prishtinë, duke mbaruar me sukses licencat C dhe B të UEFA-s që tashmë po e kemi mundësinë t’i marrim në FFK.

Futbolli është pasioni dhe profesioni im që nga fëmijëria dhe dashuria ime e përjetshme, këtë fakt e dijnë të gjithë ata që me njohin nga afër, andaj tani jetoj e i përkushtohem profesionit në vazhdimësi veçmas tani duke punuar me talentet e rinj. ‘Koha’ është emëruar për arsye se ne ecim me kohën, dhe se jemi vet ‘Koha’ me punë suksese e profesionalizëm. Si shkollë kemi filluar punën nga shtatori i vitit 2018, duke filluar me vetëm 11 futbollistë, kurse pas një viti kalendarik të përfunduar këtë muaj shkolla e futbollit ‘Koha’ numëron mbi 80 futbollistë, të ndarë në grupmoshat U-8, U-10, U-12 dhe U-14. Me së shumti cilësi kemi në grupmoshën U-12 me të cilën grupmoshë morëm pjesë në turneun ‘Ulpiana Cup’ dhe ‘Albania 2019’, që mbahet çdo vit në Durrës, derisa u shpallem nënkampion duke qenë befasia më e këndshme e turneut, duke u shquar me loje efikase, gola të bukur e veprime të bukura, teknike, të njomakëve tanë. Vlen të cekët, futbollisti ynë Blerton Haziri u shpall golashënuesi më i mirë i turneut me 9 gola të shënuar.
“Bota sot”: A ka talent të kësaj shkolle dhe cilët mundi t'i veçoni si e ardhmja e këtij sporti?
Arben Zeqiri:
Padyshim që ka talente të cilëve iu nevojitet mbështetja e prindërve, institucioneve kompetente për t’u krijuar kushte për punë, ngase profesionalizmi dhe përkushtimi im nuk mungon në asnjë mënyrë. Padyshim që talentet si Korab Kosumi, Rinas Hamdiu, Elton Vokshi, Amar Toska, Bleart Mustafa, Eris Cuci, Bekon Rexhepi, Deon Jetishi, Mal e Lis Shabani, Abrar Salihu, Blerti Ramadani, Djellon Xhelili, Jon Sadiku, Diar Asani, Diart Ymeri, Nadi Haziri, Eron Zylfiu dhe Olti Mushica e shumë e shumë të tjerë janë potencial që premtojnë, mirëpo duhet ditur një fakt absolut që garancion tek asnjë talent askush nuk mund të jap sepse zhvillimi morfo-funksional, anatomik, fiziologjik, (mandej faktori gjenetik, kognitiv e konativ etj.) i te rinjve nëpër faza të ndryshme të jetës është përcaktues në ndërtimin e tyre si futbollist potencial në të ardhmen.

“Bota sot”: Cilat janë kushtet për punë, sa është vështirë të ekziston kjo shkollë?
Arben Zeqiri:
Kushtet e punës asnjëherë nuk janë ideale. Në domenin e shkencave të kulturës fizike dhe sportit ekziston një ligj i pashkruar i cili thotë: "Në ato kushte që ekzistojnë duhet punu" dhe nxjerr maksimumin nga subjekti në këtë rast futbollisti, derisa ne stërvitemi në fushën ‘Pro Sport’ që është pronë private, kurse një herë në dy javë e shfrytëzojmë fushën me bar sintetik që është ndërtuar së fundi në qytetin tonë. Vështirësi kemi të natyrave të ndryshme por me mbështetjen e fuqishme materiale dhe morale të prindërve i tejkalojmë dhe e arrijmë realizimin e planprogramit të punës që e kemi të ndarë sipas grupmoshave.

“Bota sot”: A mendoni se Kosova ka talent të mëdhenj të futbollit, por çka i duhet më shumë?
Arben Zeqiri:
Sigurisht që ka talente por talenteve iu duhet mbështetje e parezervë e shtetit, krijimi i kushteve për punë, stimulimi i talenteve me bursa, ngase sportisti duhet të jetë i veçantë nga njerëzit e rëndomtë, mandej të vazhdohet me edukimin e trajnerëve që ka filluar tashmë, sipas standardeve të UEFA-s dhe FIFA-s, meqë futbollin është prodhim vendor dhe nga këtu mos të harrojmë që kanë dal yje të futbollit europian e botëror.

“Bota sot”: Si e sheh futbollin në përgjithësi në Kosovë, ka rritje të cilësisë, ka përmirësim të infrastrukturës?
Arben Zeqiri:
Padyshim që ka ngritje të cilësisë dhe përmirësim relativ të infrastrukturës meqë tashmë duhet përmbushur standardet e UEFA-s dhe FIFA-s, por ndeshjet e fundit në kualifikimet e Champions Lrague siç ishte rasti me ‘Niklin’ këtë vit dhe Dritën vitin e kaluar, na dëshmoi që ende na duhet punë profesionale, organizim dhe mbi të gjitha cilësi e futbollistëve, e që na mungon por nëse shpallet prioritet nga qeveria konkretisht ministria e sportit futbolli si sport me prioritet kombëtar atëherë vërtet do të jemi shembull për të mirë edhe me futbollistë vendorë ashtu siç jemi ngrit si ekip përfaqësues duke u shpallur kampion i Ligës së Kombeve në ligën D.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat