Kukësi nuk refuzohet

Futboll

Kukësi nuk refuzohet

Më: 25 korrik 2019 Në ora: 16:12
Kukësi nuk refuzohet

Gjatë prezantimit si trajneri i ri Kukësit, Shpëtim Duro u pyet për shumë tema, për atë që e bindi të merrte drejtimin e verilindorëve, merkaton dhe rivalitetin me Partizanin, ish-skuadrën e tij.

Si e përjetoni këtë sfidë të re?

Puna e trajnerit është përgjegjësi në çdo skuadër. Te Kukësi është përgjegjësi edhe më e madhe, sepse në këto 6-7 vite është një nga skuadrat më të mira në kampionatin shqiptar, ka qenë protagoniste me Skënderbeun dhe Partizanin duke fituar edhe trofe.

Është një kënaqësi të marr drejtimin dhe falënderoj drejtuesit dhe presidentin Gjici për besimin ndaj meje. Pozitive është që është fillimi i kampionatit. Kjo është pozitive për një trajner, për projektin e tij, për gjithë sezonin.

Çfarë iu bindi për të zgjedhur Kukësin?

Janë disa skuadra kryesore si Partizani, Kukësi që nuk refuzohen. Projekti dhe objektivat, skuadra cilësorë që ka, këto më binden të pranoj ofertën.

Gjici ka treguar se nuk ka durim me trajnerët…

Puna e trajnerit e tillë është. Është hera e parë që bashkëpunoj profesionalisht me Gjicin, është president ambicioz, që ka fituar shumë. Nga jashtë e kam parë që skuadrat e ndërtuara këtu kanë qenë gjithnjë të forta, shpresojmë të bëjmë më të mirën. Një njeri kur investon sigurisht që kërkon maksimumin. Këto gjera i kam marrë parasysh. Shpresoj të bëj më të mirën.

Do të ndërhyni në merkato apo do vazhdoni me grupin e lojtarëve që keni?

Nuk ka arsye për të ndërhyrë fuqimisht në ekip. Do ketë ndonjë largim që do zëvendësohet. Skuadra është cilësore. Unë kam mendimet e mia ku mund të përforcohemi, në bashkëpunim me Nexhipin, të cilin e kam pasur edhe futbollist, tani e kam drejtues.

A ka ndikuar Nexhipi për ardhjen tuaj te Kukësi?

Sot po tregoj një sekret: ofertën e parë që Gjici i ka bërë një trajneri shqiptar në Superiore në vitin 2012, ma ka bërë mua, por zgjodha rrugë tjetër në atë kohë, pas periudhës që drejtova Skënderbeun. Unë bëra një zgjedhje tjetër. Ishte Kukës tjetër në atë kohë, natyrisht. Me Nexhipin kemi bashkëpunuar mirë, te Partizani e Shkëndija, ka eksperiencë të madhe në futboll dhe ndihem i vlerësuar nëse ai ka ndikuar te Gjici.

Do të rivalizoni me Partizanin këtë sezon për titullin kampion….

Kam punuar te Partizani dhe jam rritur atje, por jemi profesionistë. Nuk e mohoj të shkuarën, por tani do të bëj të pamundurën për të ndihmuar Kukësin që të arrijë objektivat.

Çfarë skuadre do të jetë Kukësi këtë sezon?

Nuk i kam qejf termat mbrojtës, sulmues, janë terma demode. Unë kam pasur gjithnjë ekipe të ekuilibruara, elastike në çdo ndeshje, në varësi të kundërshtarit. Rëndësi ka që skuadra të funksionojë dhe të arrijë objektivat.

Keni bërë një përmbledhje të merkatos?

Kukësi dhe Partizani kanë qenë dhe mbeten skuadra kryesore. Ashtu siç mendojmë ta përballojmë ne, edhe ata mendojnë si të na përballojnë ata. Tani nis puna jonë për kompletimin e ekipit në rast largimesh, të shohim si do përshtaten në fushë lojtarë të veçantë. Sezoni ka qenë pozitiv. Skuadra është aty. Ka konkurrencë.

Si i shihni problemet e fundit në Superiore?

Për Skënderbeun më ka ardhur shumë keq, sepse kam qenë aty. Jam pjesë e historisë të Skënderbeut. Partizani është përforcuar, është skuadër kampione, të shohim më tej ekipet e tjera.

Pesë lojtarë pa kontratë…

Dje arrita marrëveshjen me klubin, sot është prezantimi. Do të ulemi të bisedojmë. Kontratat i sheh klubi, pastaj unë vendos në aspektin teknik. Duhet të bëjmë një skuadër cilësore, me konkurrencë në çdo repart. Skaudra 70-80% është ajo e sezonit të kaluar.

Afrimi i Gavazajt dhe Dakut…

Unë dje e mbylla marrëveshjen. Gavazaj e njohim, nuk ka nevojë për koment, është përforcim shumë cilësor. Daku është cilësor, luan me U21 e Kosovës i ri, por me shumë të ardhme. Të shikojmë si do ambientohet.

Si është situata me Valdet Ramën?

Është shumë cilësor, me eksperiencë, që vlen edhe për Kombëtaren. Klubi po flet me të, të shohim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat