Memaj: Shpresojmë që ta sjellim titullin në Podujevë

Futboll

Memaj: Shpresojmë që ta sjellim titullin në Podujevë

Nga: Kemajl Goca Më: 25 korrik 2019 Në ora: 17:59
Blendi Memaj në veprin

Edhe tri javë na ndajnë nga fillimi i edicionit të ri në Superligën e Kosovës, ndërsa shumica e skuadrave janë në vlugun më të madh të përgatitjeve, me qëllim që të janë sa të përgatitur për betejat e reja.

Llapi nga Podujeva është prej skuadrave më të organizuara po ashtu edhe me të përforcuara, që paralajmëron një edicion jashtëzakonisht të mirë, në luftë për kreun e tabelës.

Mesfushori i Llapit, Blendi Memaj, ka deklaruar se është një atmosferë shumë e mirë brenda taborit të klubit, po ashtu kanë zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore, të cilat iu shërbyen për të parë formën. Llapjanët janë të motivuar dhe aq me tepër nga suksesi i edicionit të kaluar, kur përfunduan në vend të tretë dhe për një fije të flokut iu kishte ikë edhe pozita e parë.  

Me futbollistë punon kryetrajneri Tahir Batatina i cili pretendon që të komponojë ekipin në mënyrë më të mirë, që të startojnë sa më mirë në edicionin e ri.  

“Bota sot”: Si është atmosfera në KF Llapin dhe a ka vështirësi në përgatitje për shkak të temperaturave të larta që mbretërojnë gjatë këtyre ditëve?
Blendi Memaj:
Atmosfera është mjaft e mirë. Temperaturat nuk kanë qenë aspak pengesë gjatë kësaj faze, pasi që në vazhdimësi orari ka qenë i përshtatur. Kemi stërvitur dhe vazhdojmë të stërvitemi nga dy herë në ditë intensivisht.

“Bota sot”: Llapi ka zhvillua disa miqësore, a mendoni se jeni në formën më të mirë në prag të kampionatit që nis me 17 gusht?
Blendi Memaj:
Po, kemi zhvilluar 3 miqësore saktësisht, Llapi dihet që ka sjellur shumë futbollistë të rinj në skuadër, kështu që faza e komponimit dhe njohës ende nuk ka përfunduar, po ashtu edhe strategjitë dhe skemat e lojës kanë qenë të gjitha, të themi 'provuese' dhe si rrjedhojë e saj mendoj që rezultati nuk ka qenë në rend të parë. Megjithatë qëndrojmë në formë optimale për kampionat.

“Bota sot”: Llapjanët janë përforcuar shumë, a mendoni se do të kanë fjalën kryesore në kampionat?
Blendi Memaj:
Ambiciet e klubit tash e sa kohë dihen dhe dëshmohen duke pasur parasysh luftën të cilën e bënë Llapi deri në fund të sezonit. Pra, edhe këtë sezon qëllimi veçse është përforcuar dhe shpresojmë që ta realizojmë, të sjellim titullin në Podujevë.

“Bota sot”: A mendoni se kampionati do të jetë edhe më i nxehtë kur kihet parasysh lufta për titull dhe për një vend në Evropë, në anën tjetër edhe katër skuadra largohen direkt nga liga?
Blendi Memaj:
Këtë vit pas miratimit të ligjit të ri besoj se do të ketë një ngritje radikale në cilësi të futbollit kosovar, ndërsa lufta për Evropë dhe për ekzistencë do të jetë më e ashpër se kurrë më parë. Të gjitha skuadrat janë në dijeni të rrezikshmërisë në njërën anë dhe mundësisë për dalje në Europë, si rrjedhoje e kësaj të gjitha skuadrat janë përforcuar dhe vazhdojnë me përgatitje maksimale.

“Bota sot”: Cilat skuadra i sheh në garë për kreun e tabelës dhe çka iu premton tifozëve 'Legjenda'?
Blendi Memaj:
Mendoj se skuadrat e njëjta, pra si në sezonin që e lamë pas do të jenë në garë të drejtpërdrejt për titull, faktori kryesor për kampion do të jetë minimizimi i gabimeve. Tifozëve 'Legjendave' ju premtoj maksimumin në çdo ndeshje dhe shpresoj që me mbështetjen e tyre do të realizojmë qëllimin e përbashkët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat