Hedhet shorti i Superligës, skuadrat premtojnë një sezon të fortë

Futboll

Hedhet shorti i Superligës, skuadrat premtojnë një sezon të fortë

Më: 31 korrik 2019 Në ora: 15:40
Pamje nga hedhja e shortit

Në selinë e FFK-së, në praninë e zëvendëssekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Arianit Ahmeti, kryetarit të Komisionit të Garave, Abdyl Bellopoja, administratorit të Superligës, Agron Shosholli dhe përfaqësuesve të klubeve të mërkurën është bërë tërheqja e shortit për kampionatin e ri.

Fillimisht përfaqësuesit e klubeve i përshëndeti zv/sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Arianit Ahmeti, duke iu dëshiruar suksese dhe lojëra korrekte në edicionin e ri, derisa më pas u bë tërheqja e shortit, në bazë të të cilit në javën e parë do të takohen:

Drita – Ferizaj

Flamurtari – Prishtina

Dukagjini – Ballkani

Feronikeli – Drenica

Llapi – Vushtrria

Trepça’89 – Gjilani

Pas tërheqjes së shortit, përfaqësuesit e klubeve premtuar një sezon tejet interesant në Superligën e Kosovës.

Artan Bytyqi nga ana e Flamurtarit u shpreh se derbi i kryeqytetit që do të zhvillohet javën e parë do ta hijeshojë sezonin qysh në fillim të tij. Ai gjithashtu konfirmoi se kjo ndeshje do të luhet në stadiumin e rinovuar të Flamurtarit “Xhemail Ibishi”.

Bytyqi: Flamurtari i përgatitur maksimalisht për sezonin e ardhshëm

“Po qysh në xhiron e parë do të ndeshen dy ekipet e kryeqytetit do të thotë Flamurtari dhe Prishtina. Besoj që do të jetë një hapje e mirë e kampionatit duke ditur edhe rivalitetin e vjetër por edhe tash, pra do të jetë një kampionat i ri. Menjëherë do të startoj me derbin e kryeqytetit. Besoj që do të jetë një kampionat i mbarë duke ditur se do të dalin tri ekipe në Evropë dhe do të ketë shumë luftë për ekzistencë. Besoj që ka me qenë një kampionat mjaft i mirë këtë vit. Flamurtari është përforcuar shumë nga kampionati i kaluar. Mendoj se është ruajtur një bazë, ndërsa kemi marrë edhe lojtar, përforcime që besoj se do të jenë adekuate dhe do të jenë një skuadër e fortë për të gjithë ekipet e Superligës”, tha Bytyqi.

Ndërsa, përfaqësuesi i Prishtinës, Avni Durmishi tha se më mirë  do të ishte që kampionatin ta nisnin në shtëpi, por fati e deshi që ndeshjen e parë Prishtina ta luajë në cilësinë e mysafirit.

Durmishi: Prishtina si çdo herë pretendente për titull

“Ndeshjen do ta zhvillojmë në stadiumin e Flamurtarit, përballje gjithmonë interesante në Xhemail Ibishi, të shohim. Kisha dashur më shumë me lujt si vendas por më mirë ndoshta për impenjimin e futbollistëve do të jetë që ndeshja e parë me një rival direkt si Flamurtari. Prishtina gjithmonë është pretendente. Ne i hymë garës të shohim se ku do të na qet gara”, tha Durimishi.

Përfaqësuesi i Llapit, Muhamet Rexhepi pas tërheqjes së shortit tha se fati deshi që Llapi ta nis kampionatin në shtëpi ndaj skuadrës që këtë vit u inkuadrua në Superligë dhe shpreson që llapjanët ta nisin me fitore.

Rexhepi: Shpresojmë që ta fillojmë mirë kampionatin

“Po mundem të them se realisht është një short deri diku i lehtë, por lojë të lehta nuk ka. Në Superligën e Kosovës duhet të përkushtohesh 100% pastaj do të shohim. Llapi do të hyjë si gjithmonë për 3 4 pozitat e para dhe do të shohim deri në fund. Mirë është që tri skuadra shkojnë në Evropë do të shohim tani se si do të shkojë. Besoj që po kryesia e klubit ku e ka pa të nevojshme të investoj tek futbollistët ku kemi qenë vitin e kaluar më të dobët, kanë investuar dhe besoj që do të arrijnë. Llapi që tri vite është pretendent është në krye të tabelës, por për pak  nuk po shkon në Evropë”, tha Rexhepi.

Kujtojmë që garat në Superligën e Kosovës për sezonin e ardhshëm fillojnë më 17 gusht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat