Krahas meshkujve edhe vashat e Feronikelit synojnë titullin e Kosovës  

Futboll

Krahas meshkujve edhe vashat e Feronikelit synojnë titullin e Kosovës  

Nga: Kemajl Goca Më: 1 gusht 2019 Në ora: 18:16
Rrezona Ramadani

Feronikeli nga Drenasi në konkurrencën e meshkujve sundon në futbollin e Kosovës, të cilët janë fitues i Kupës dhe kampionë, por primatin e synojnë edhe vashat e Feronikelit në vendin tonë!  

Image

Futbollistet e ‘Niklit’ për tri pikë ngecën nga vendi i parë Mitrovica dhe mbeten pa titullin e parë në histori të tyre. Megjithatë janë nënkampione të Kosovës dhe ky është edhe një motiv shtesë për edicionin e ri që pritet të fillojë me 17 gusht!  

Futbollistja e talentuar Rrezona Ramadani është optimiste se me Feronikelin do të ia dalin në edicionin e ri dhe të sjellin trofe në vitrinat e klubit të tyre.

Rrezona nuk ka më shumë se 16 vjeç, luan në pozitën e mesfushores qendrore dhe njëherësh është edhe pjesë e kombëtares së Kosovës U-19, e cila pretendon që të jap maksimumin në edicionin e ri dhe të shënojnë rezultatet edhe më të mira se në edicionin paraprak.

Image

Ajo është përzgjedhur lojtarja më e mirë në Kosovë për U-16 në vitin që e lamë pas (në kohën kur ishte pjesë e KFF Vizionit nga Ferizaj). Rrezona flet për synimet me klubin, se kush e motivoi që të merret me futboll dhe cilin klub e ka për zemër e cilin futbollist idhull.
 
“Bota sot”: Sa jeni e kënaqur me kushtet?
Rrezona Ramadani:
Që nga janari jam pjesë e klubit Feronikeli nga Drenasi, ku jam shumë e kënaqur me ekipin, me kryesinë, si dhe kushtet janë në nivel të mirë
“Bota sot”: Për tri pikë mbetet pas kampionit Mitrovica, a iu mungoi fati?
Rrezona Ramadani:
Ishin disa gabime qe bënë sezonin e kaluar, por vlen të ceket që gjysmë sezonin qe lamë pas ne nuk kishim asnjë humbje dhe vetëm një barazim, kjo na motivon që këtë sezon të punojmë më fortë edhe të jemi pretendent për titullin e kampionit, ndërsa ekipit të Mitrovicës i uroj shumë suksese në Champions League.

“Bota sot”: Cilat janë synimet tuaja?
Rrezona Ramadani:
Normalisht synimet kryesore janë titulli i kampionit dhe Kupa e Kosovës, të cilat mund t’i arrijmë me punë dhe përkushtim maksimal.
“Bota sot”: Jeni edhe pjesë e kombëtares së Kosovës U-19, sa është vështirë të luash dhe a është një motiv shtesë?
Rrezona Ramadani:
Po, jam pjesë e kombëtares së Kosovës, gjenerata U-19. Është e lehtë të futesh në kombëtare por pjesa më e vështirë është ta mbash vendin në kombëtare, pasi që çdo herë ka lojtare të reja që i bashkohen kombëtares dhe konkurrenca është e madhe edhe nga lojtaret që luajnë në klube jashtë Kosovës.

“Bota sot”: Kush iu motivoi që të merreni me futboll?
Rrezona Ramadani:
Motivimi kryesor është familja ime e veçanërisht babai i cili që nga mosha 7-vjeçare kur kam filluar të merrem me futboll ka qenë përkrahja ime më e madha dhe motivi tjetër është dëshira dhe vullneti im që të merrem me këtë sport, pasi është talent që më ka dhuruar Zoti dhe jo gjithkush e ka këtë.
“Bota sot”: Cilat skuadra janë në luftë për titull në edicionin e ri?
Rrezona Ramadani:
Dëshira ime është që Feronikelin ta shoh kampion të Kosovës dhe ky është synimi jonë i vetëm dhe siç dihet skuadra e vetme rivale është Mitrovica.

Image

 “Bota sot”: Cilin ekip në Evropë e ke për zemër e nga cili futbollist i madh botëror frymëzohesh?
Rrezona Ramadani:
Ekipi i zemrës që nga fëmijëria ka qenë dhe është Barcelona dhe mund ta quaj idhulli im është Andres Iniesta.

“Bota sot”: Sa është vështirë të stërvitet në këtë vapë, sa ndikon?
Rrezona Ramadani:
Sigurisht është periudha më e vështirë për një futbollist dhe vapa e cila e vështirëson edhe më shumë këtë fazë por është periudhë e cila i nevojitet të gjithë futbollisteve të cilët dëshirojnë të kenë një sezon të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat