Klopp zbardh telefonatën me Guardiolën pas finales së Champions-it

Futboll

Klopp zbardh telefonatën me Guardiolën pas finales së Champions-it

Më: 3 gusht 2019 Në ora: 14:47
Pep Guardiola dhe Jurgen Klopp

Në fushë, rivaliteti mes të dyve është sportiv, në emër të skuadrave përkatëse të Premier League, por edhe jashtë drejtkëndëshit të gjelbër antagonizmi nuk mungon mes Pep Guardiolës dhe Jurgen Klopp. Sezoni i kaluar e dëshmoi qartësisht këtë gjë. Pavarësisht disa fërkimeve të fundit mes këtyre dy protagonistëve, trajneri i Liverpool, ekskluzivisht për “Goal”, tha se kanë vlerësim reciprok.

Gjermani, duke folur për kolegun te Manchester City, shpjegoi marrëdhëniet mes të dyve dhe zbuloi një sfond kurioz, lidhur me finalen e Champions-it, e fituar nga Liverpool në Madrid, kundër Tottenham: "Pas ndeshjes, Guardiola më telefonoi përmes Lee Nobes, kryefizioterapistit tonë, i cili ka bashkëpunuar me të. Lee më dha telefonin dhe unë lexova “Pep" në ekran. Mendova se ishte Pep im, por në vend të kësaj kuptova që ishte Guardiola. Filluam të bisedonim dhe pati një respekt të madh të ndërsjellë. Ne biseduam për sezonin që sapo kishte mbaruar dhe bëmë disa shaka. Natyrisht, ne ishim të dy në një humor të mirë.

Ka shumë respekt mes nesh, nuk jemi në kontakt të vazhdueshëm, përveç kur ndeshemi me njëri-tjetrin në fushën e blertë. Megjithatë, gjithçka është në rregull. Unë nuk kam nevojë të provokoj askënd. Nuk kam nevojë për ndjenja negative kur shikoj trajnerin kundërshtar në skenë. Unë mund t’i fitoj ndeshjet edhe pa e bërë këtë. Kjo nuk është pjesë e filozofisë sime dhe Pep padyshim që mendon në të njëjtën mënyrë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat