Kompletohet Tirana

Futboll

Kompletohet Tirana

Më: 3 gusht 2019 Në ora: 15:09
Kompletohet Tirana

Rikthimi i djalit planprishës, apo një garanci për të trembur rivalët. Saga me Michael Ngoo merr fund në fillimin e gushtit, sulmuesi do të vazhdojë të jetë pjesë e bardhebluve, kontrate e re dhe vazhdim i bashkëpunimit, natyrisht duke piketuar kornizat e marrëdhënies për sezonin e ri në lidhje me respektimin e rregullave dhe disiplinës.

Me britanikun dhe Ismael Dunga Tirana ka dy qendërsulmues të konfirmuar dhe me potencial, pa harruar se në të njëjtin rol operojnë dhe Grent Halili dhe Ernest Muçi, ndërkohë që reparti ofron bollëk edhe në pozicionet e tjera me Cale, Torrasa e Cobbinah nga krahët, apo Edon Hasanin që është një tjetër lojtar me vlera në fazën sulmuese siç konfirmoi edhe vitin e kaluar jo vetëm me krijimin e lojës dhe asistet por edhe me finalizimin duke rezultuar kryegolashënues i skuadrës, ndërkohë që me aftësi mjaft të mira në manovrën krijuese është edhe i riu Çikani, që shënoi në miqësoren e fundit në Ohër përballë Flamurtarit të Prishtinës.

Pas një fundjave të akorduar pushim pas miqësores me Bylisin, bardheblutë do i kthehen fushës për tu stërvitur këtë të hënë, kur me grupin do të jetë edhe Cobbinah, që nuk ka mundur të bashkohet më parë për shkak të pengesave burokratike për rikthimin nga vendlindja. I vetmi që i mbijetoi kolonisë së afrikanëve të sezonit të shkuar, ganezi është një lojtar i rëndësishëm për aftësitë teknikë dhe faktin që mund të luajë si në krah ashtu edhe pas sulmit, duke e bërë më të pasur potencialin sulmues të Tiranës.

Për sa i përket mbrojtjes, Vangjeli dhe Osmani ofrojnë jo vetëm garancinë e eksperiencës por edhe mentalitetin e dy lojtarëve të aftë për të menaxhuar situatata, ashtu si personaliteti dhe grinta e Bathës në mesfushë. Vera e prag 100 vjetorit është premtuese te Tirana, ku të paktën për sa i përket emrave, skuadra ka të gjitha letrat në rregull për të bërë një sezon të madh, edhe pse të vërtetat si gjithmonë do i thotë vetëm kampionati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat