Kombëtarja e Kosovës U19 zhvilloi dy miqësore - Bota Sot
Kombëtarja e Kosovës U19 zhvilloi dy miqësore

Futboll

Kombëtarja e Kosovës U19 zhvilloi dy miqësore

Më: 9 gusht 2019 Në ora: 11:15
Kombëtarja e Kosovës U19 zhvilloi dy miqësore

Kombëtarja e Kosovës U19 ka mbajtur grumbullimin e radhës në kuadër të përgatitjeve dhe seleksionimit të lojtarëve për kualifikimet e Kampionatit Evropian që do të zhvillohen në muajin nëntor.

Përzgjedhësi Ramiz Krasniqi, me dy ndihmësit e tij Nazmi Rama e Xhelal Karabegu, gjatë tri ditëve të këtij grumbullimi kanë pasur në dispozicion rreth 30 futbollistë, ku krahas një stërvitjeje kanë zhvilluar dy ndeshje miqësore me skuadrat e Ligës së Parë.

Pas miqësores me Drenasin, sot, Dardanët e rinj kanë zhvilluar një miqësore me 2 Korrikun në kryeqytet, në të cilën është treguar një lojë e fortë nga të dyja ekipet, e ku përzgjedhësi Krasniqi ua ka dhënë rastin për lojë të gjithë futbollistëve. Përzgjedhësi Krasniqi ka thënë se ky grumbullim ka qenë shumë pozitiv për faktin se krahas futbollistëve që edhe më herët kanë qenë pjesë e ekipit, iu ka dhënë rasti për t’i treguar vlerat e tyre edhe 15 lojtarëve të tjerë.

“Edhe në këtë grumbullim kemi pasur një përzierje të futbollistëve që luajnë në Kosovë dhe atyre që luajnë jashtë. Sa i përket futbollistëve që janë grumbulluar për herë të parë nuk jemi aq të kënaqur, pasi performanca dhe kualiteti i tyre në këto dy ndeshje nuk ka qenë në nivelin e duhur. Sidoqoftë, është vërejtur se futbollistët që kanë qenë më herët pjesë e ekipit nga vendet evropiane kanë treguar të njëjtën formë dhe cilësi, derisa sa i përket atyre që ishin për herë të parë ndoshta mund të zgjedhim dy apo tre të cilët janë dalluar nga ky grup i madh dhe do të na shërbejnë në të ardhmen”, ka theksuar Krasniqi.

Ai më tej ka thënë se Kombëtarja U19 do të vazhdojë me grumbullime të tilla edhe në muajin shtator dhe tetor, porse nuk do të ketë më seleksionim të futbollistëve. “Në dy grumbullimet e radhës do të përqendrohemi në ata futbollistë me të cilët do të paraqitemi në kualifikime dhe do të punojmë në kompaktësi të ekipit dhe korrigjime të lojës, në mënyrë që të jemi të gatshëm për kualifikimet e muajit nëntor në Uells”, ka shtuar Krasniqi.
Të rikujtojmë se Kosova U19 do të bëjë pjesë në Grupin 5 të kualifikimeve ku bëjnë pjesë edhe Rusia, Polonia dhe Uellsi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...