Onbashi: Mitrovica është para finales tjetër në Champions  

Futboll

Onbashi: Mitrovica është para finales tjetër në Champions  

Nga: Kemajl Goca Më: 11 gusht 2019 Në ora: 17:14
Onbashi: Mitrovica është para finales tjetër në Champions  

Kampionet e Kosovës, Mitrovica, lanë pa fjalë edhe bullgaret NSA Sofia, duke iu shkaktuar humbje me rezultat 2:0, në ndeshjen e xhiros së dytë të kualifikueseve për Champions League. Sërish në skenë futbollistet Ambra Gjergji dhe Liridona Syla, të cilat shënuan për fitoren 2:0, po të njëjtat shënuan edhe për triumfin 2:1 ndaj rumuneve Olimpia Cluj.

Image

Mitrovica

Dy ndeshjet e para dhe pikët maksimale e bëjnë të ndihen shumë krenarë edhe kryetrajnerin Seid Onbashi së bashku me vashat, qytetin e Mitrovicës dhe tërë Kosovën. Mitrovica kryeson renditjen me 6 pikë, ka dy më shumë se Breznica e Malit të Zi, kurse NSA Sofia është në vend të tretë me 1 pikë e Cluj mbeten në kuotën 0. Mitrovicës i duhet vetëm një pikë që të sigurojnë kalimin më tej, që do të ishte sukses historik.

Onbashi deklaron se janë të përgatitur maksimalisht për ndeshjen e të martës (me 13 gusht, në orën 17.30) kundër Breznicës, që padyshim është edhe sikur një finale.  “Edhe një fitore kundër një ekipi shumë të fortë, por prapë ishte dëshira e madhe, disiplina dhe mbulimi i mirë i kundërshtarit të cilit nuk i kemi lënë asnjë hapësirë pasi që e kemi analizuar nga loja e kaluar”, tha Onbashi për gazetën kombëtare “Bota sot”.  

Mitrovica kryeson grupin 2 me 6 pikë, sfidën e fundit e luanin ndaj Breznicës, që edhe një pikë iu kryen punë? “Jemi në vendin e parë të cilin me thënë të drejtën nuk e kemi paramenduar, por janë vajzat ato të cilat na kanë bë krenarë dhe nuk janë për t’i nënçmuar. Me një pikë do të kualifikohemi por ne mendojmë vetëm për fitore”, përgjigjet Onbashi. Mitrovica-Breznica, është sikur një finale, sepse Mitrovicës i duhet vetëm një pikë e rivales tri për të shkuar më tej. “Është një finale tjetër, pasi që këtu çdo ndeshje është finale për arsye se shkon vetëm lideri i grupit.

Përparësitë janë në ekipin tonë se kanë një dëshirë të madhe për të kaluar grupin dhe të bëjmë historinë edhe pse vapë e madhe, 40 gradë celsius ishte të shtunën në ndeshje, kështu që vajzat për 90 minuta nuk janë ndalur. Kjo tregon që jemi një ekip me karakter të madh dhe ekip fitues i cili asnjëherë nuk ndalet për të fituar”, shpreh optimizmin kryetrajneri mitrovicas.

Onbashi thotë se janë të kompletuar: “Ekipi është i kompletuar, fitorja e fundit është e rëndësishme, pasi që jemi në garë ende dhe ndihemi më rehat por nuk guxojmë të ndalemi dhe të mendojmë që të çlirohemi për barazim, duhet ta fitojmë edhe këtë ndeshje”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat