Munishi: Do të shohim Ballkan më kompetitiv, këto 5 skuadra janë favorite për titull

Futboll

Munishi: Do të shohim Ballkan më kompetitiv, këto 5 skuadra janë favorite për titull

Më: 12 gusht 2019 Në ora: 22:19
Ismet Munishi

Trajneri i mirënjohur, Ismet Munishi, ka folur në prag të fillimit të sezonit të ri në IPKO Superligë.

Teksa kanë mbetur vetëm disa ditë deri në fillimin e sezonit të ri në Superligën e Kosovës në futboll, trajneri i Ballkanit për Insportin ka folur për transferimet dhe përgatitjet që ka bërë skuadra e tij.

Munishi u zyrtarizua si trajner i Ballkanit në muajin qershor, derisa në këto dy muaj klubi nga Suhareka ka bërë disa përforcime.

Munishi e mori drejtimin e Ballkanit më 8 qershor, dhe në këtë periudhë dy muajshe ka pasur largime e afrime të shumta.

Klubi suharekas është përforcuar me disa ardhje të reja, derisa në muajin qershor ndau udhët me gjithsej nëntë lojtarë.

Ndërkaq, skuadra e Munishit u përforcua me gjithsej 13 lojtarë: Durim Gashin, Arbër Hoxhën, Kushtrim Gashin, Edmond Turkun, Flamur Gashin, Albin Berishën, Albin Kaprën, Egzon Sinanin, Artur Maganin, Bleon Sekiraqën, Ermal Krasniqin, si dhe dy futbollistët nga Kameruni, Effa Lazare Tristan Dylan dhe Marius Stephane Tatkeu Yimkoua.

E për këto transferime, Munishi ka thënë se të gjithë janë lojtarë fantastikë. Ai po ashtu tha se skuadra është përgatitur mirë për këtë edicion të Superligës.


Blend Baftiu (21 vjeç), Jetmir Topalli (21) e Arbër Hoxha (20), tre talentët e rinj të FC Ballkani

“Jemi përgatitur mjaft mirë për këtë edicion. I kemi pasur të gjitha kushtet për punë”, tha Munishi.

“Të gjitha trasnferimet që i kemi bërë janë lojtarë fantastik. I kemi lojtarët më të rinjë në Superligë dhe vlerat e tyre do të rriten. I kemi katër reprezentues të Kosovës U21: Baftiu, Topalli, Hoxha dhe portieri Flamur Gashi. Kemi akoma lojtarë rinj që presim të shpërthejnë këtë edicion”, shtoi ai.

Skuadra e Munishit, në xhiron hapëse të IPKO Superligës do të luajë në udhëtim te Dukagjini i Klinës. Ai tha se Dukagjini është skuadër që meriton respekt, teksa e tregoi edhe rezultatin që pret nga kjo ndeshje.

“Po me Duakgjinin është mirë të mos humbim, ata kanë bërë ndryshime të mëdha dhe meritojnë respekt”, tha Munishi.

Ballkani edicionin e kaluar të Superligës e përfundoi në pozitën e 8-të. Sipas Munishit, pozicionimi më lartë në tabelë do të ishte sukses, teksa premtoi një Ballkan më kompetitiv.

“Kishte me qenë mirë të përfundojmë më lartë. Këtë sezon do të shohim Ballkan më kompetitiv”, tha ai.

Tutje, ai tregoi edhe cilat skuadra i sheh si favorite për ta fituar titullin në Superligë.

“Favorite për titull janë Feronikeli, Drita, Prishtina, Gjilani dhe Llapi”, tha Munishi.

Munishi së fundmi ishte trajner i Vëllaznimit, para se të merrte drejtimin e Ballkanit. Ai u shpall kampion i Kosovës në vitin 2014 me Llamkos Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat