Kush është fajtor për dështimin e Shkëndijës në Europë?

Futboll

Kush është fajtor për dështimin e Shkëndijës në Europë?

Nga: Reshat Ibrahimi Më: 13 gusht 2019 Në ora: 12:32
Reshat Ibrahimi

Shkëndija e Tetovës nuk i përmbushi pritshmëritë e saja në Europë. Eliminimini i hershëm i saj nga kualifikimet në Ligën e kampionëve dhe Ligën e Europës ishte një zhgënjim i madh për të gjithë tifozët e Shkëndijës dhe futbolldashësit në vend.

Atmosfera jo e mirë pas eliminimit zgjati disa ditë. U mendua se koha do të shërojë plagët dhe se Shkëndija do të rikuperojë vetën në fillim të kampionatit të ri.

Trajneri Qatip Osmani për në Strumicë nuk e përfshiu në listën e të tijve kapitenin Armend Alimi, duke e lënë në Tetovë. Ai kishte menduar se gjeti fajtorin kryesor për mossuksesin në Europë. 
Megjithatë, i doli gabim. Strategu Osmani sërish gaboi në aspektin taktik, pasi ekipi i tij pësoi nga Akademija Pandev në Strumicë me rezultat 1-0. 
Kjo humbje dëshmoi se vetëm Alimi nuk paska qenë fajtorë për rezultatet e dobëta në arenën europiane. Nëse është dashur të sanksionohen, atëherë dënimin e kanë merituar të gjithë lojtarët dhe jo vetëm një.

Për mossuksesin e Shkëndijës në Europë nuk mund të jetë fajtorë vetëm një lojtar, por i tërë ekipi, pasi në fushë luajnë 11 futbollistë. Të jemi të qartë, futbolli është lojë kolektive dhe jo individuale. 
Kur Shkëndija arrinte suksese, kur fitoi titullin e dyfishtë meritat nuk i takuan vetëm një lojtari, por tërë ekipit, pastaj stafit, kryesisë dhe tifozëve.

Edhe në këtë rast, pra edhe kur dështon, përgjegjësia bie mbi të gjithë. 
Fajtorë është edhe stafi teknik. Pse? Sepse nuk mjafton vetëm një fitore jashtë terrenit. Në ndeshjen e kthimit kundër Nomme Kalju nga Estonia në Shkup futbollistët e Shkëndijës luanin të pa motivuar. Krijohej përshtypja se fitorja e parë në Estoni ishte arritur me shumë fat. Edhe golat që i shënonte Shkëndija ishin nga penalltitë dhe jo nga aksionet e rrjedhshme.

Gjithashtu edhe zëvendësimet nga stafi teknik ishin të gabueshme. Këtë e pranonte edhe vet trajneri Qatip Osmani në konferencat për media. 
Fajtor është edhe kryesia e klubit. Pse? Sepse për të arritur objektivin-hyrjen në grupet e LE-së duhet më shumë investime në skuadër, duhet sjellë lojtar të klasit europian.

Nuk mjafton vetëm një Agim Ibraimi dhe Zeni Husmani, që erdhën në afatin kalimtar të dimrit. Kryesia sikur harroi se nuk kanë sulmues në ekip, pasi Besart Ibraimi dhe Marjan Radeski pësuan lëndime të rënda, munguan një kohë shumë të gjatë dhe kur u kthyen në formacion nuk ishin në formë. Felipe shumë vonë iu bashkua skuadrës.

Ai nuk ishte as në përgatitje me skuadrën. Dhe, pastaj nuk mund të presësh më shumë nga ai, pavarësishtë cilësive që ka. Planet bëhen shumë më herët dhe aty për aty!

Humbjet janë mësim për të ardhmen. E te KF Shkëndija të gjithë mund të mësojnë nga ky pësim i madh në Europë.

Shkrimi merret në profilin e Reshat Ibrahimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat