Filloi seminari për edukatorë të trajnerëve 

Futboll

Filloi seminari për edukatorë të trajnerëve 

Më: 18 gusht 2019 Në ora: 12:09
Filloi seminari për edukatorë të trajnerëve 

Në kuadër të programit “Grassroots”, sot, Federata e Futbollit e Kosovës në partneritet me UEFA-n, për herë të parë e kanë organizuar seminarin katërditorë për edukatorë të trajnerëve, e ku ligjërues ishte instruktori i UEFA-s, Dany Ryser. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, drejtori teknik Michael Nees dhe menaxherja e ‘Grassroots’ në FFK, Sanije Krasniqi dhe administrstori për sektorin e edukimit, Lorik Fazlija.

Fillimisht para pjesëmarrësve të këtij workshopi foli drejtori teknik, Michael Nees, i cili theksoi se FFK ka bërë hapa të mëdhenj në edukimin e kuadrove të reja që nga pranimi në UEFA e FIFA dhe tashmë ka ardhur koha pas kurseve për licenca për trajnerët të bëhet edhe aftësimi i edukatorëve të trajnimeve.

“Kjo punëtori që e kemi organizuar e ka misionin e saj. Pra qëllimi është që edukimi në Kosovë të ngritet që nga regjionet. Pra, FFK bashkë me Lidhjet e saj rajonale ta ketë edukimin shumë më cilësor se deri më tash, në mënyrë që në të ardhmen të kemi sa më shumë lojtarë që arrijnë të kapin nivelet e larta të lindur e rritur në Kosovë. Prandaj, duhet të jeni të privilegjuar që jeni pjesëmarrës të kësaj punëtorie. Ne e kemi përzgjedhjen tuaj duke u bazuar në suksesin e treguar në kurset e mëparshme për trajnerë dhe për atë çfarë keni treguar në kursin e Licencës B. Normalisht puna e edukatorit është shumë më e ndjeshme dhe më e vështirë se sa e një trajneri të një ekipi. Këtu rol të madh luan etika dhe nëse ju lejoni gjëra të këqija, atëherë gjeneratat pasardhëse do t’i trashëgojnë ato dhe kanë me vepruar njëjtë si ju. Për këtë arsye është e rëndësishme personaliteti, etika dhe morali juaj”, ka theksuar Nees.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, pasi e ka falënderuar instruktorin e UEFA-s për pjesëmarrjen dhe punën e tij të palodhshme në edukimin e kuadrove të reja, ka thënë se ky workshop është një mundësi për të gjithë pjesëmarrësit për të qenë në hap me kohën. “Ne si FFK po bëjmë çmos që të bëjmë një sistem të edukimit të qëndrueshëm, i cili do t’i shërbejë gjeneratave të ardhshme dhe jemi në rrugë të mirë. Qëllimi ynë është që të bëjmë një bazë të fortë të edukimit prej Grassroots. Pra, nuk është me rëndësi që vetëm ju të keni njohuri për futbollin si trajnerë, por është me rëndësi që atë njohuri tuajën ta përcillni në mënyrën më të mirë edhe tek gjeneratat pasardhëse. Ju do të jeni liderët e rinj të edukimit dhe elita e gjithë këtyre kurseve që i keni kryer deri më tash nëpërmjet programit ‘Grassroots’, prandaj ju dëshiroj suksese të mëtutjeshme”, është shprehur Salihu.

Në anën tjetër, instruktori i UEFA-s, Dany Ryser ka thënë se ndihet mirë sa herë vjen në Kosovë dhe është kënaqësi për të kur punon me njerëz që kanë dëshirë të madhe për ta zhvilluar futbollin e vendit të tyre. “Këtë e ndjej sa herë që vij këtu dhe unë e di që Kosova është shtet i futbollit. Jam i sigurt se prej vitit të ardhshëm falë punës së palodhshme të njerëzve që udhëheqin me edukimin në FFK, Kosova do të jetë në Konventën për Licencën B të UEFA-s. Unë e kam prezantuar raportin te paneli i JIRA-s dhe ata e kanë pranuar që Kosova të jetë në Konventën për Licencën B dhe pastaj Komiteti Teknik e më pas edhe Komiteti Ekzekutiv i  UEFA-s do ta aprovojnë këshillën e tyre. Hapi juaj i madh do të jetë Licenca A dhe në këtë rrugë ju si pjesëmarrës të këtij workshopi jeni njerëz të rëndësishëm. Pra, kur baza e edukimit është e fortë, kur Licenca C dhe B është në nivelin e duhur gjithçka është më e lehtë. Po ashtu, ne kemi këmbëngulur që Kosova t’i ketë edukatorët e vet, në mënyrë që sistemi i edukimit të funksionojë më mirë.

Normalisht për momentin mendoj se Michael Nees dhe Horst Kriete janë njerëzit e duhur që t’ju ndihmojnë juve në kurse, por do të vijë koha që edhe ju vetë do të punoni dhe do të edukoni gjenerata të reja. Prandaj, ky workshop është i rëndësishëm pasi nuk është kurs për trajner, por për edukator dhe puna juaj do të jetë të punoni në edukimin e gjeneratave të ardhshme me Licencën C“, është shprehur Ryser.  Ai ka kërkuar nga pjesëmarrësit e këtij workshopi që të marrin përgjegjësit e duhura dhe të punojnë sa më shumë në marrjen e njohurive në mënyrë që në të ardhmen të jenë edukator të mirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat