Liverpool-i humb 25 milionë euro për faj të... Coutinho-s!

Futboll

Liverpool-i humb 25 milionë euro për faj të... Coutinho-s!

Më: 20 gusht 2019 Në ora: 16:30
Philippe Coutinho

Kur një futbollist largohet nga një skuadër për arsye teknike, është një humbje për të gjithë. Veçanërisht në rastet si ai i Philippe Coutinho-s.

Barcelona pagoi një shifër të frikshme për brazilianin, por aventura e futbollistit në "Camp Nou" ka qenë zhgënjyese. Megjithatë, në këtë rast, në mënyrë paradoksale, largimi i tij është një fitore për të gjithë ose pothuajse. Ka qenë një fitore për Barçën, Bayern-in, por jo për Liverpool-in.

"Të Kuqtë" mund të kishin fituar akoma më  shumë nga ish-ylli i tyre. Siç ka bërë të ditur e përditshmja "Sport", Liverpool ka marrë një shifër të majme nga shitja e "Cou", por që mund të kishte qenë akoma më e lartë në rastin e respektimit të  disa klauzolave që ishin përfshirë në kontratën e brazilianit me klubin spanjoll.

110 milionë euro janë paguar për transferimin e futbollistit në Spanjë, 14 të tjerë pas arritjes së një numri të caktuar ndeshjesh. Gjithsesi, Liverpool mund të kishte përfituar 18 milionë euro nëse Coutinho do të kishte luajtur ndeshjen e tij numër 100 me Barçën dhe 7 milionë euro të tjera në rast të fitores së Champions League. Një total prej 25 milionë eurosh të humbura.

Shpresa është akoma gjallë për Liverpool-in, gjithsesi. Transferimi i lojtarit te Bayern nuk është përfundimtar dhe Barcelona mund të ndryshojë mendje dhe të mos lejojë shitjen e tij te bavarezët. Ashtu si Bayern mund të vendosë të mos e blejë përfundimisht brazilianin, siç ndodhi me James Rodriguez.

Për Barcelona-n, fitorja e largimit të Coutinho-s varet kryesisht nga dy faktorë: Bayern do t'i paguajë rrogën e plotë futbollistit dhe do të lirojë një vend në ekipin katalanas, që thuhet se do të merret nga Neymar.

Por, më shumë se kushdo tjetër, ka fituar Coutinho: "Ky ndryshim përfaqëson një sfidë të re në një vend të ri dhe në një prej klubeve më të mirë të Europës. Pres me padurim të filloj: kam objektiva të rëndësishëm, ashtu si Bayern, dhe jam i sigurt se mund t'i arrij me shokët e mi të rinj të skuadrës", ka thënë braziliani gjatë prezantimit te Bayern-i.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat