Malisheva-Keku hap siparin e Ligës së Parë, Senad Alirifa synon befasinë e javës

Futboll

Malisheva-Keku hap siparin e Ligës së Parë, Senad Alirifa synon befasinë e javës

Më: 20 gusht 2019 Në ora: 21:16
Malisheva

Këtë fundjavë starton edhe divisioni i dytë i futbollit kosovar, Liga e Parë.

Të premtën me fillim nga ora 17:00, në stadiumin “Liman Gega” të Malishevës, skuadra me po të njëjtin emër, e pret Kekun nga Kastrioti.

“Elektricistët” zbritën nga elita e futbollit kosovar, duke arkëtuar vetëm një pikë gjatë gjithë edicionit, derisa nuk është se janë treguar shumë aktiv në këtë merkato.

Kësisoj, ekipi nga “Agron Rama” do ta ketë një udhëtim të vështirë në xhiron hapëse, pasi në duelin e vetëm të ditës, do të jetë mysafir i Malishevës, klub ky i promovuar këtë edicion në Ligën e Parë.

E, njëri nga më meritorët për këtë arritje të tyre është ish-trajneri i Rahovecit, Senad Alirifa. Mbase i ri në moshë, Alirifa, po jep predispozita të forta se mund të jetë njëri prej më të mirëve në profesionin e tij, madje në një të ardhme shumë të afërt.

Në një prononcim, Alirifa u shpreh i kënaqur që tashmë numërimi për së prapëthi ka filluar dhe se mezi po e pret startin e sezonit:

“E kam pritur qe një kohë të gjatë dhe në fund erdhi momenti i së vërtetës. Me një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me kryesinë, si në aspektin financiar ashtu edhe në atë organizativ-sportiv, kemi arritur të komponojmë një skuadër goxha të mirë.

Do të jemi “arrë e fortë” për secilin kundërshtar, derisa në fund të vitit besoj se do të zgjedhemi si befasia e edicionit. Këtë synim, do ta fillojmë qysh në ndeshjen e parë ndaj Kekut, pasi duke u bazuar se jemi në cilësinë e vendasit dhe do ta kemi përkrahjen maksimale të tifozëve, tre-pikëshi është caku ynë kryesor”, përfundoi Alirifa.

Gjithsesi, mbetet të shihet sesi do të rrjedhin gjërat në fundjavë, ndërsa ne do t’iu raportojmë në kohë reale për çdo ndryshim eventual.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat