Talenti shqiptar nënshkruan me klubin e njohur anglez

Futboll

Talenti shqiptar nënshkruan me klubin e njohur anglez

Më: 23 gusht 2019 Në ora: 12:55
Talenti shqiptar nënshkruan me klubin e njohur anglez

Rezart Rama, një nga lojtarët më të talentuar të Kombëtareve të moshave, ka bërë sot hapin e madh në karrierë.

Ish-kapiteni i Shqipërisë U-17 dhe së fundmi U-19 ka firmosur për tri vite te klubi anglez që militon në Championship, Nottingham Forest, që drejtohet nga francezi Sabri Lamouchi.

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se prej tre ditësh lojtari ndodhet në Angli, ku kaloi me sukses vizitat mjekësore dhe sot do të prezantohet edhe zyrtarisht nga klubi anglez. Rama nuk ka mbushur ende 19 vjeç, ndërkohë që së fundmi ka luajtur me Olympiacos U-19.

Pozicioni i tij natyral është mesfushor shkatërrues, ndërsa mund të luajë edhe në qendër të mbrojtjes. Rama është titullar i padiskutueshëm i Kombëtares U-19 dhe tashmë gjasat janë që pas këtij transferimi të grumbullohet direkt nga trajneri Edi Reja.

Mësohet se Rama ka prishur kontratën me Olympiacosin dhe pasi ka dalë i lirë si lojtar, është transferuar me parametra zero te Nottingham Forest.

Një rol të rëndësishëm për këtë lëvizje pati edhe menaxheri shqiptar i FIFA-s, Angjelos Veizi, i cili njihet për lidhjet që ka tek Olympiacosi, ndërsa menaxhon edhe sulmuesin tjetër të kampionëve grekë, Emiliano Bullari, i cili është pjesë e Shqipërisë U-21.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat