Krasniqi: Nuk duhet të kënaqemi, është vetëm fillimi

Futboll

Krasniqi: Nuk duhet të kënaqemi, është vetëm fillimi

Nga: Kemajl Goca Më: 25 gusht 2019 Në ora: 16:23
Krasniqi: Nuk duhet të kënaqemi, është vetëm fillimi

Ballkani nga Theranda po tregon formë shumë të mirë në dy javët e para të elitës së futbollit të Kosovës.

Therandasit me kryetrajnerin e ri Ismet Munishin në dy ndeshjet e para arkëtuan 4 pikë, veçmas i shkaktuan humbje të rëndë me rezultat 3:1 kampionit FC Feronikeli nga Drenasi.  Skuadra e Ballkanit e ka nisur edicionin në mënyrën më të mirë, duke importuar pikë nga Klina (0:0) në përballje me Dukagjinin dhe në Therandë e mposhtën me 3:1 Feronikelin.

Fitorja e parë me shije të arit për therandasit, për faktin se e mposhtën favoritin e madh dhe prej kandidatëve kryesor në luftë për titullin e kampionit. Kapiteni i Ballkanit, Besnik Krasniqi, autor i golit të dytë nga penalltia, tha se rezultatet janë të pritshme duke pasur parasysh edhe përgatitjet që kanë bërë. “Thënë të drejtën, e kemi pritur këtë ecuri duke marr parasysh se jemi përgatitur me një staf shumë të mirë dhe ndeshje miqësore shumë të mira që kemi bë, kemi qenë shumë optimist për këto ndeshje.

Nuk bën të kënaqemi sepse është vetëm fillimi, duhet të vazhdojmë që të bëjmë lojë të bukur e t’i marrin ndeshjet me radhë e të bëjmë më të mirën në këtë kampionat”, tha Krasniqi për gazetën kombëtare “Bota sot”. Fitorja kundër Feronikelit me rezultat 3:1 shumëkënd e la pa fjalë, çka e veçojë ekipin? “Mendoj grupi dhe e kemi dashtë fitoren shumë më shumë se kundërshtari.

Kemi qenë shumë kompakt, kemi jap secili maksimumin, kështu që ia dolëm”, përgjigjet futbollisti.

Krasniqi tha se do të japin maksimumin në secilën sfidë dhe të marrin sa më shumë pikë: “Ne do të japim në çdo lojë më të mirën dhe do të pretendojmë të jemi sa më lartë në renditje. Do të luftojmë për Kupë, megjithatë mbetet të shihet se si do të dalim, por kam shumë besim te skuadra”.

Ardhja e Ismet Munishit e ka bërë Ballkanin edhe më të fortë? “Po, e vërtet, jemi duke e bërë një punë shumë të mirë me staf”, tha Krasniqi. A mendoni se do të jetë ndër kampionatet më të nxehta, kur dihet se bien katër ekipe nga liga dhe a është ngritur edhe niveli i lojës në përgjithësi të ligës? “Mendoj se do të jetë kampionati më interesant këtë vit dhe ka rritje të cilësisë. Do të jetë shumë i fortë për të gjitha skuadrat si për kreun e tabelës po ashtu edhe për ato që luftojnë që të ikin nga pjesa e fundit që mos të bien nga kategoria. Do të jetë luftë e vërtetë”, përfundoi Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat