Seria A: Atalanta e Gjimshitit përmbys Spal-in e Berishës, Roma-s nuk i mjaftojnë tre gola, Lazio merr kreun

Futboll

Seria A: Atalanta e Gjimshitit përmbys Spal-in e Berishës, Roma-s nuk i mjaftojnë tre gola, Lazio merr kreun

Më: 25 gusht 2019 Në ora: 22:59
Pamje nga ndeshja

Mbrëmje e çmendur në Serinë A.

Java e parë e kampionatit italian të futbollit ka dhuruar emocione dhe gola pa fund, duke i dhënë vazhdimësi spektaklit të dhuruar mbrëmjen e së shtunës nga Fiorentina dhe Napoli.

Ndeshja më e çmendur e mbrëmjes së sotme është luajtur në stadiumin "Paolo Mazza", aty ku Spal-i Etrit Berishës ka pritur Atalanta-n e Berat Gjimshitit.

Gjithçka ka nisur keq për zikaltrit, që e kanë parë veten ne disavantazh të dy golave pas 27 minutash lojë, por që në fund kanë arritur të realizojnë mrekullinë në pjesën e dytë dhe të fitojnë 3-2.

Di Francesco (7') dhe Petagna (27') kanë shënuar për vendasit, ndërsa Gosens (34') dhe Muriel (71', 76') kanë qenë autorët e golave të zikaltërve.

Ka fituar edhe Brescia e shqiptarit tjetër, Emanuele Ndoj, i cili nuk ka qenë në dispozicion të ekipit për shkak të një dëmtimi në kavilje. "Dallëndyshet" kanë mundur 1-0 Cagliari-n në transfertë falë një penalltie të realizuar nga Alfredo Donnarumma në minutën e 53-të.

Një tjetër ndeshje e çmendur ka qenë ajo e luajtur në "Olimpico" mes Roma-s dhe Genoa-s, me verdhekuqtë që kanë dalë tri herë në avantazh, por nuk kanë arritur të marrin më shumë se një pikë.

Under (6'), Dzeko(30') dhe Kolarov (49') kanë shënuar për skuadrën e Fonseca-s, ndërsa kuqeblutë janë kundërpërgjigjur me Pinamonti (16'), Crisscito (43', pen) dhe Kouame (70').

Ndërkohë, ka marrë një fitore bindëse Lazio, që ka mundur 3-0 në transfertë Sampdoria-n dhe është ngjitur në vendin e parë të renditjes. Immobile (37', 62') dhe Correa (56') kanë qenë protagonistët e suksesit të bardhekaltërve.

Ka fituar edhe Torino, që ka mundur 2-1 në shtëpi skuadrën e Sassuolo-s. Proagonisti i këtij takimi ka qenë Simone Zaza, i cili ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 14-të dhe më pas ka realizuar një gol aksidental me thembër në të 55-ën. Caputo ka ngushtuar diferencat në të 69-ën, por Sassuolo nuk ka arritur të shmangë humbjen.

Në fund, është mbyllur në barazim 1-1 takimi mes Verona-s dhe Bologna-s, një ndeshje kjo që ka qenë e ngarkuar emocionalisht për shkak të pranisë në stolin e kuqebluve të Sinisa Mihajlovic, i cili po lufton kundër leukemisë.

Ka nisur keq takimi për veronezët, që kanë mbetur me 10 lojtarë pas 13 minutash dhe e kanë parë veten në disavantazh pas 15 minutash pas penalltisë të transformuar nga Sansone. Gjithsesi, vendasit nuk janë dorëzuar dhe 9 minuta para fundit të pjesës së parë kanë gjetur golin e barazimit dhe kanë arritur ta mbrojnë rezultatin deri në fund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat