U nervozua me zëvendësimin

Futboll

U nervozua me zëvendësimin

Më: 29 gusht 2019 Në ora: 10:33
U nervozua me zëvendësimin

Majkëll Ngo luajti ndeshjen e parë zyrtare si titullar këtë sezon. Nuk ia doli që të luante 90 minuta, ndërsa reagoi duke lëshuar edhe një bidon uji në shesh. Shumëkush mendoi se ishte një reagim ndaj Memës, por Ngo sqaron se ishte diçka instiktive për shkak të rezultatit që nuk po vinte.

“E përplasa shishen e ujit, sepse doja të ndihmoja ekipin. Në fushë mund të kisha bërë akoma mirë. Asgjë më shumë. Për mua edhe me dy sulmues mund të luanim”, është shprehur në fillim Ngoja pas takimit me Teutën. Sulmuesi anglez foli edhe për ndeshjen me durrsakët që duhet të fitohej medoemos, por që nuk ndodhi.

Vetë Majkëll Ngoja analizon ekipin dhe lojën në fushë. “Kam luajtur sa në një anë, në një tjetër. Sulmuesi duhet të jetë mjaftueshëm i shpejtë. Duhet ta njohim dhe kuptojmë njëri-tjetrin. Nuk duhet të vazhdojmë kështu, duhet të jemi më mirë. Zhvilluam një lojë shumë të ngadaltë dhe daljet përpara të tilla ishin. Kur të sulmojmë, duhet të jemi më të shpejtë. Shpresojmë që këtë gjë ta bëjmë në ndeshjen e radhës. Kemi shumë punë për të bërë përpara”, deklaroi sulmuesi.

Titulli kampion është kryefjala te Tirana. Po a mundet që bardheblutë t’ia dalin të jenë në luftën për titullin kampion këtë sezon? Ngo është i bindur. “Pa dyshim se me 100% ne i kemi shanset këtë vit për titullin kampion. Ky është thjesht një parashikim, por duhet të kemi kujdes, pasi referuar ndeshjes së fundit nuk jemi në rrugën e duhur. Nuk është ajo më e mira e Tiranës. Ndeshja e fundit ishte një test për ne, ndaj duhet të shikojmë përpara në duelin me Vllazninë. Nuk duhet të harrojmë se kemi punuar fort dhe në Shkodër nuk duhet të dalim nga vetja”, ka mbyllur Majkëll Ngoja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat