Afërditës po i qesh fytyra!

Futboll

Afërditës po i qesh fytyra!

Më: 31 gusht 2019 Në ora: 10:56
Afërditës po i qesh fytyra!

Afërdita Fazlisë, përzgjedhëse e Kosovës, padyshim se po i qesh fytyra sepse e bëri mrekullinë që pak kush ia kishte besën!

!Kombëtarja e Kosovës (femrat) e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme ciklin kualifikues për Euro 2021. Në ndeshjen hapëse të Grupit A “Dardanet” kanë shënuar fitore kundër Turqisë, me rezultat 2:0.

Vashat tona kanë shfaqur një paraqitje mbresëlënëse gjatë tërë 90 minutave, duke i kënaqur me lojë mbi 4 mijë tifozë të mbledhur në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.

Rezultatin e zhbllokoi Modesta Uka, në minutën e 33-të, kur gjuajti saktë brenda zonës për ta dërguar topin në rrjetën e portës turke. Ky gol iu dha zemër edhe më shumë futbollisteve tona, të cilat shumë shpejt e shënuan edhe golin e dytë.

Kësaj radhe ishte Liridona Syla, e cila me një gjuajtje të fortë e nguliti topin në rrjetë për 2:0, kur po zhvillohej minuta e 39-të. Loja e mirë e Dardaneve vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ku krahas lojës së mirë në mbrojtje u shfaqën shumë të rrezikshme edhe në sulm për ta përmbyllur me sukses sfidën e parë të këtyre eliminatoreve.

Kosova për kundërshtar në grup ka edhe Holandën (kampione në fuqi e Evropës), Rusinë, Slloveninë dhe Estoninë. Ndeshjen e ardhshme Dardanet do ta luajnë më 3 shtator si mysafire kundër Sllovenisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat