Challandes: Na presin dy ndeshje shumë të forta

Futboll

Challandes: Na presin dy ndeshje shumë të forta

Më: 1 shtator 2019 Në ora: 13:43
Challandes: Na presin dy ndeshje shumë të forta

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, sot, ka mbajtur konferencën e parë për media para dy ndeshjeve të rëndësishme të shtatorit kundër Çekisë dhe Anglisë. Challandes ka pranuar se ekipi i Dardanëve përballet me mungesa të rëndësishme për këto dy ndeshje dhe se nuk do të jetë aspak e lehtë pa Arbër Zenelin, Milot Rashicën, Hekuran Kryeziun, Herolind Shalën e Benjamin Kolollin, por se ka besim tek lojtarët që i ka në dispozicion.

“Në ditët në vijim i kemi dy ndeshje shumë interesante dhe të rëndësishme kundër kundërshtarëve të fortë. Fatkeqësisht i kemi disa lojtarë të rëndësishëm të lënduar. Si trajner më duhet ta pranoj këtë situatë.

Nuk jam një i çmendur, e di që sa të rëndësishme janë këto mungesa dhe se nuk do të jetë lehtë. P.sh. nëse Franca do të luante pa Griezman, Kante, Pogba dhe Hernandes, nuk do të ishte është ekipi i njëjtë i Francës, njëjtë është edhe për Kosovën, pra do të kemi vështirësi. Si trajner mund të vajtoj, mund të ankohem, mund të bërtas për lojtarët që mungojnë apo mund të gjej zgjidhje për lojtarët që mungojnë. Por, është e qartë se unë e kam zgjedhur opsionin për të gjetur zgjidhje në këtë situatë”, ka thënë Challandes.

Ai tutje ka thënë se si trajner nuk mund t’i zëvendësojë lojtarët kokë me kokë, pra nuk mund ta zëvendësojë Rashicën me një lojtar tjetër, Zenelin me një lojtar tjetër…

“Ideja ime është që të reagojmë si ekip dhe të japim përgjigje këtij problemi si kolektiv. Nëse reagojmë kështu atëherë do të jemi në gjendje për ta përballuar këtë gjendje. Duhet të luftojmë, duhet të jemi shumë të fortë si ekip. Është detyrë e imja si trajner që të arrij të gjej më të mirën nga futbollistët që do të paraqiten në këto dy ndeshje. Ne duhet të jemi të qetë, por duhet të luftojmë jashtëzakonisht shumë dhe t’i nxis lojtarët të japin më të mirën kundër njërit prej ekipeve më të forta në botë siç është Anglia, por edhe kundër një ekipi shumë të fortë siç është Çekia, ekip për të cilin aktualisht jam duke menduar shumë më tepër”, ka shtuar Challandes.

Sipas tij Çekia është një prej ekipeve më të forta aktualisht në Evropë dhe dueli i 7 shtatorit kundër tyre në stadiumin “Fadil Vokrri” nuk do të jetë aspak i lehtë.

“I kam studiuar të dy kundërshtarët për kohë të gjatë, veçanërisht Çekinë, e cila është kundërshtari ynë i parë dhe përqendrimi tani për tani është vetëm tek ky kundërshtar. Çekia është një ekip shumë i fortë, i cili ka bërë paraqitje shumë të mira në dy ndeshjet e fundit kundër Bullgarisë dhe Malit të Zi, duke marrë 6 pikë dhe ku ka treguar që është ekip që bën presing shumë të lartë dhe ka tranzicion shumë të mirë nga faza defanzive në atë ofansive. Sfidë tjetër për ne është edhe shtatlartësia e tyre, ngase janë 5-6 lojtarë që janë mbi 1.90 cm dhe kjo do të na shkaktojë vështirësi, duke pasur parasysh se ne jemi ekip dukshëm më shtatshkurtër. Por, gjithashtu edhe pjesa fizike e lojës që bëjnë çekët mund të jetë sfidë për ne. Sidoqoftë, ne duhet të gjejmë zgjidhje për t’iu kundërvënë sa më mirë një kundërshtari të tillë”, ka nënvizuar Challandes.

Më tej Challandes ka folur edhe për të rikthyerit në ekip Valon e Bernard Berisha, si dhe për emrat e rinj Florent Muslija dhe Ibrahim Dresheviq.
Po ashtu trajneri zviceran ka dhënë edhe shpjegimin e tij për mosgrumbullimin e Lirim Kastratit të Lokomotivës së Zagrebit, i cili do të jetë pjesë e Kombëtares U21.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat