Frikë nga Armenia

Futboll

Frikë nga Armenia

Më: 5 shtator 2019 Në ora: 14:22
Bonucci

Leonardo Bonuçi, në mungesë të Xhorxho Kielinit, është graduar kapiten në kombëtare për dy ndeshjet e ardhshme, por duke parë edhe deklaratën e fortë të bërë dje nga Emre Xhani, nuk kishte se si përveç Italisë mbrojtësi të mos komentonte edhe daljen e gjermanit kundër klubit të tij.

“Shiriti i kapitenit është diçka prestigjioze për mua, e cila më nderon, por më e rëndësishme sesa kjo është fakti që kapiteni im te Juventusi dhe në kombëtare, Xhorxho Kielini, e ka kaluar me sukses operacionin e tij. Nuk ka dyshime se një lojtar si ai është shumë e vështirë që të zëvendësohet dhe do të na mungojë të gjithëve, por ne kemi disa objektiva për të arritur, me Juventusin dhe me Italinë, ndaj duhet të luftojmë edhe për Kielinin. Personalisht, do të mundohem që të shkaktoj sa më pak dëme në fushë pa Xhorxhon, – qesh Bonuçi, që më pas kalon te tema e Emre Xhanit. –

E kam dëgjuar deklaratën e tij. Edhe ne i lexojmë gazetat, por realisht nuk e di se çfarë ka ndodhur në klub mes drejtuesve, trajnerit dhe Emresë. Kjo është një çështje që do të diskutohet edhe në vazhdim, por unë nuk dua që të hyj më thellë sesa kaq. Personalisht, unë kam dashur që të jap gjithmonë shembullin pozitiv, si te Juvja, ashtu edhe në kombëtare, prandaj nuk dua që të bëj polemikë apo gjëra të tilla”.

Lidhur me duelin kundër Armenisë, Leonardo Bonuçi, ashtu si trajneri Mançini, kërkon shumë kujdes. “Një lojtar që duhet pasur nën kontroll dhe nuk ka nevojë për prezantime është Henrik Mikhitarjan.

Ai do të jetë për më shumë një ndër pengesat tona drejt titullit kampion edhe në Serinë A, pasi ka firmosur me Romën. Po flasim për një lojtar të madh dhe e përgëzoj Romën, pasi ka bërë një blerje fantastike”.

“Në të njëjtën kohë, mos harrojmë se Armenia na ka hapur shumë telashe në të kaluarën. Me barazimin e pësuar në vitin 2013 rrëshqitëm përfundimisht jashtë Botërorit, ndaj në këtë ndeshje të mos bëjmë më gabimet e së kaluarës, por të luajmë fort dhe të marrim tri pikët, pasi në këtë Europian duam që të shkojmë sa më shpejt”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat