Festa e çmendur e titullit, Klopp tregon si përfundoi i dehur në garazh dhe furgonin e pulave

Futboll

Festa e çmendur e titullit, Klopp tregon si përfundoi i dehur në garazh dhe furgonin e pulave

Më: 6 shtator 2019 Në ora: 16:25
Jurgen Klopp

Festën e çmendur e meritonte. Jürgen Klopp zbulon një histori surrealiste, në të cilën u gjend pasi fitoi Bundesligën me Borussia Dortmund, në vitin 2011. Trajneri gjerman dhe verdhezinjtë e festuan titullin me një ceremoni të organizuar jashtë. "Unë isha me të vërtetë i dehur, gjë e dukshme në disa intervista", - fillon të tregojë trajneri aktual i Liverpool-it në një dokumentar të Amazon për Dortmund.

Pas një nate feste, Klopp tregon se ku u zgjua ditën tjetër: "Nuk mbaj mend asgjë, që ka kuptim. Nuk jam i sigurt nëse ia kam thënë ndonjëherë këtë gjë ndokujt. Në fakt, u zgjova në një kamion, brenda një garazhi. Vetëm e mbaj mend, por nuk kam asnjë ide për orët e mëparshme, si përfundova atje. U zgjova, dola nga kamioni dhe u gjenda në një dhomë të madhe fabrike. Pastaj kalova në oborr dhe pashë siluetën e një burri. Vërshëlleva dhe bërtita me zë të lartë dhe vura re që silueta po ngadalësohej pak. Kështu, prita të zbuloja kush ishte. A e dini cilin pashë? Watzke (Hans-Joachim Watzke, drejtorin e përgjithshëm të Borussia Dortmund). Pra, ai dhe unë ishim njerëzit e vetëm në këtë oborr të madh".

Historia e Klopp nuk mbaron këtu. Të dy duhet të dilnin që atje për t'u bashkuar me festën e kampionëve në qytet, kështu që kërkuan një mjet transporti. Me bllokimin e rrugëve të qytetit për shkak të festës, kjo ishte e vështirë, megjithëse gjetën një mënyrë të veçantë për të arritur në destinacion: "Watzke ndaloi një furgon të vjetër, Mercedes, në rrugë. Në timon ishte një djalosh turk. Watzke i tha: "A na dërgo dot në qendër të qytetit? Shoferi u përgjigj: "Jo, nuk ju çoj dot atje". Atëherë, Watzke futi dorën në xhep, nxori 200 euro dhe i thotë: "Ju e bëni për kaq…” 

Ai i sheh paratë dhe përgjigjet: “Po, jemi në rregull". Watzke ulet përpara, ndërsa unë u mundova të shtrihesha te pjesa e pasme. U përpoqa të vazhdoja të flija me kokën anash, sepse isha pak i lodhur. Sidoqoftë, vazhdoja të dëgjoja kakarisje, kakarisje, kakarisje… Mendova; çfarë po ndodh këtu? Kujtova se isha në ëndërr, por jo. Furgoni ishte plot me pula”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat