Pesë ndeshjet e ‘çmendura’ të Kosovës

Futboll

Pesë ndeshjet e ‘çmendura’ të Kosovës

Më: 8 shtator 2019 Në ora: 16:09
Kosova

Kombëtarja e Kosovës është në një ecuri të jashtëzakonshme, prej 15 ndeshjeve pa humbje.

Progresi i Kosovës është i jashtëzakonshëm. Nga tetori 2016 deri në tetorin 2017, Dardanët nuk numëronin as edhe një fitore. Luajtën 9 ndeshje zyrtare (të parat), dhe nuk arritën të fitojnë asnjërën nga ato. Kurse, nga tetori i vitit 2017, skuadra e Bernard Challandes ka luajtur 15 ndeshje, duke mos u mposhtur asnjëherë.

Nga ndeshja e parë zyrtare, kundër Finlandës, që ishte e vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2018, kur asokohe garonim në Grupin I, me skuadra si Islanda, Kroacia, Turqia, Ukraina e Finlanda, e deri tek fitorja kundër Çekisë, Kosova ka kaluar neper disa sfida të ‘çmendura’.

Liga e Kombeve ishte një tjetër kompeticion zyrtar i organizuar nga UEFA, në të cilin Kosova garoi, në Ligën D. Rezultatet ishin larg më të mira sesa ishin pritur, me Dardanët që dolën fitues të grupit, duke demoluar kundërshtarët si Malta, Azerbajxhani e Ishujt Faroe.

Ndeshjet emocionuese nuk po kanë të ndalur as në eliminatoret e këtij evropiani, ku shpesh djemtë e Vokrrit kanë ditur të marrin fitore me përmbysje, madje edhe në minutat e fundit të shtesës.

Të gjitha ndeshjet e kombëtares së re janë emocionuese, por, më poshtë, do t’ua përcjellim pesë ndeshjet më të ‘çmendura’ të  Kosovës.

Finlanda 1:1 Kosova:

Sigurisht se të gjithëve u kujtohet kjo ndeshje. Ishte ndeshja e parë zyrtare për Kosovën, e cila tani niste rrugëtimin e saj ndërkombëtar. Asokohe garonim në kualifikimet e Kupës së Botës 2018. Ndeshjën e parë luanim në Finlandë, ku morëm një pikë që atëherë ishte shumë e madhe. Pasi Dardanët gjenin vetën në disavantazh qysh në minutën e 18’ (Arajuuri), arrinim të barazonim rezultatin me anë të Valon Berishës, i cili shënonte nga penalltia, në minutën e 60’. Rastet nuk na munguan, por në fund dolëm vetëm me një pikë, që ishte e vetmja e asaj kampanje.

Kosova 4:3 Letonia:

Ishte ndeshja e parë që Kosova e luante pa Albert Bunjakin në stol. Muharrem Sahiti drejtonte skuadrën në ndeshjen e parë, e cila do të niste progresin e madh të Dardanëve. 11 minuta në ndeshje dhe Kosova gjente vetën në disavantazh, pas golit të Glebs Kluskins.
Reagimi ishte i shpejtë, kur pas dy minutave barazonte Amir Rrahmanin. Mysafirët shënojnë përsëri në minutën e 30’, me anë të Sabala, kurse Muriqi shënon në minutën e 45’ për barazimin e dytë, që nuk do të ishe i fundit.
Pjesa e dytë e takimit tregon dramën e vërtetë. Minuta e 59’ është ajo kur Sabala regjistrohet për herë të dytë në listën e realizatorëve, duke kaluar Letoninë në epërsi prej 2:3, kurse në minutën e 86’, Kosova barazon falë gabimit të portierit mysafir. Minuta e 94 shënon minutën e përmbysjes, me golin e fitores së Kosovës, të shënuar nga Besar Halimi.

Kosova 4:0 Azerbajxhani

Ndeshja vendimtare për grupin 3 të Ligës D, në Ligën e Kombeve, luhej në ‘Fadil Vokrri’. Kosova priste kundërshtarin kryesor të grupit, Azerbajxhanin, pasi kishin marrë një pikë nga ta në udhëtim. Duhej fitorja.
Me të filluar ndeshja, pas vetëm dy minutave, Arbër Zeneli i jep mirëseardhjen azerëve në Prishtinë. Ky do të ishte goli i vetëm i pjesës së parë. Në pjesën e dytë, Kosova dhuron spektakël. Zeneli shënon golin e dytë personal kur luhej minuta e 50’, kurse Rrahmani ngrit epërsinë në tri gola, pasi realizon me kokë, në minutën e 61’. Krejt në fund, Arbër Zeneli kompleton het trikun e tij për një prej fitoreve më spektakolare të Kosovës.

Bullgari 2:3 Kosovë

Ëndrra drejt Euro 2020. Kosova barazon dy  ndeshjet e para; kundër Malit të Zi dhe kundër Bullgarisë, dhe shkon në udhëtim në Sofje. Gjithçka nis për mrekulli për Dardanët, të cilët kalojnë në epërsi pas vetëm 14 minutave lojë, me anë të Milot Rashicës. Dy minuta para fundit të pjesës së parë, Ivelin Popov barazon rezultatin, me skuadrat që shkojnë në pauzën 15 minutëshe me rezultatin baras. Fillimi i pjesës së dytë i jep një dush të ftohtë Kosovës, kur Dimitrov realizon për 2:1. Tani, të gjitha forcat do të kalonin tek sulmi. Nuk vonon shumë dhe në skenë del gjiganti Vedat Muriqi, i cili në minutën e 64’ barazon shifrat në 2:2. Kulmi i emocioneve arrihet në minutën e 92’, kur pas shumë rasteve të humbura, Elbasan Rashani shënon golin e tri pikëve të mëdha të Sofjes.

Kosova 2:1 Republika e Çekisë

Ndeshja e luajtur dje, e cila elektrizoi Dardanët. Pas një fillimi aspak të mirë, ku Patrik Schick ndëshkon Dardanët qysh në minutën e 15’, Kosova merr kontrollin e lojës për të bërë një tjetër përmbysje të madhe. Vedat Muriqi është i pari që tund rrjetën e çekve, pas vetëm 5 minutave në disavantazh. Goli i fitores për Kosovën vije në minutën e 67’ me anë të mbrojtësit të krahut të djathtë, Mërgim Vojvoda. Tri pikët e këtij takimi janë ato që mund të vendosin fatin e vendit të dytë, në Grupin A.

Sigurisht, Kosova do të vazhdojë të na dhurojë emocione edhe në të ardhmen, ndoshta më të mëdha se këto. Por, në fund, secila ndeshje ka vendin e saj. Historia po bëhet, Dardanët po marshojnë drejt Euro 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat