“Dardania” sfidon “FC Bundestagun”

Futboll

“Dardania” sfidon “FC Bundestagun”

Më: 9 shtator 2019 Në ora: 08:31
Florim Gashi

Derisa të martën në Southampton Kombëtaret e Anglisë dhe Kosovës do të jenë duke kryer përgatitjet e fundit para ndeshjes së vlefshme kualifikuese, në kryeqytetin gjerman në Berlin do të zhvillohet poashtu një ndeshje interesante futbolli me pjesëmarrës shqiptarë.

Mysafir i ekipit të futbollit të politikanëve të Bundestagut gjerman (FC Bundestag) do të jenë anëtarët e shoqatës kulturore shqiptaro-gjermane„Dardania“ nga qyteti bavarez Bamberg.

Nuk është aspak lehtë të fitosh mundësinë të luash kundër politikanëve gjermanë. Por Dardanëve të vyeshëm nga Bambergu ju dha ky rast falë punës së tyre të palodhshme si në integrimin e komunitetit shqiptar në qytetin e tyre por edhe në forcimin e lidhjeve dhe miqësisë shqiptaro-gjermane. Natyrisht se lajmi se shoqata që e udhëheq ai është zgjedhur një nga shumë kandidatët për të luajtur kundër FC Bundestagut, ka gëzuar pa masë Kryetarin e shoqatës z. Florim Gashi.

„Si pjesëmarrës i rregullt i turnirëve të futbollit me karakter multinacional dhe integrues, kam kuptuar se sporti, e para së gjithash futbolli, janë mundësi shumë e mirë të bashkojnë njerëzit“ flet Kryetari Gashi për aktivitetet e shoqatës të cilat nuk kufizohen vetëm me aktivitetet kulturore.

Rolin aktiv të shoqatës në këtë qytet e vlerëson lartë edhe deputeti i Bambergut në Bundestagun gjerman z. Andreas Schwarz i cili u angazhua shumë që ndeshjen e Shtatorit kolegët e tij nga Parlamenti ta luajnë kundër bashkëqytetarëve të tij shqiptar.

„Ju falënderohemi përzemërsisht deputetit Schwarz për vlerësimin e tij për punën tonë dhe u angazhimin e tij që shoqata të ketë rastin të zgjeroj përvojën në një nivel kaq të lartë“ shprehet falënderues Florim Gashi i cili shpjegon se për këtë lojë vlejnë rregulla tjera. Nuk kanë drejtë loje lojtarë aktiv në klube dhe të gjithë lojtarët duhet të jenë mbi moshën 40-vjeçare.

Edhe përbërja e ekipit do të jetë e larmishme. “Shqiptarë nga Kosova e Shqipëria por edhe politikan gjerman nga qyteti ynë do të veshin fanellat e shoqatës të cilat i ka dhuruar Federata e Futbollit të Kosovës” flet Gashi për lojtarët e tij.

Prishtinasi Gashi i cili qe një kohë të gjatë është aktiv në grupet punuese të qytetit që kanë të bëjnë me integrimin e të huajve, shpreson që me këtë lojë të dërgoj edhe një porosi: “Ne jemi një komunitet i integruar shumë mirë por duam edhe të ngremë zërin për liberalizimin e vizave dhe pranimin e Kosovës në Bashkësinë Europiane” shpjegon ai qëllimin e prezentimit në Berlin. “Nëna dhe motra te mia do të jenë të pranishme në Berlin. Për vizë ato kanë pritur mbi pesë muaj. Kosova gjindet në Evropë dhe rreth 400000 shqiptarë nga Kosova jetojnë në Gjermani. Pse ju duhet vizë familjeve tona kur duan të na vizitoj nënë Gjermani? pyet Gashi pa fshehur zhgënjimin e tij që shtetasit e Kosovës ende nuk munden të lëvizin pa viza nëpër Evropë.

„Pjesa e tretë“ e lojës do të zhvillohet në një lokal në Berlin ku nikoqir do të jetë shoqata „Dardania“. Do të jetë ky një takim i politikanëve gjermanë me pjesëtarët e komunitetit shqiptaro-kosovar në Gjermani por të pranishëm do të jenë edhe mysafirë nga Kosova. Për këtë mbrëmje është përgaditur edhe një program kulturor .

Të mërkurën për shoqatën Dardania do të organizohet pritje në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Bundestagun gjerman.

Të realizosh një ide të tillë nuk është lehtë por Gashi dhe kolegët e tij mobilizuan disa donatorë të cilën mundësuan këtë udhëtim. Iniciativa si kjo duhet të jenë shembull për gjithë komunitetin në Gjermani dhe duhet të gjejnë përkrahje edhe te organet shtetërore por edhe të përfaqësive diplomatiket Republikës së Kosovës në Gjermani. Asnjë delegacion i politikanëve nga Kosova nuk do të mund të mbledh 30 deputetë gjermanë për ti pritur ata. Dardanët nga Bambergu po. Për këtë aktivitet ata e meritojnë një mirënjohje të jashtëzakonshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat