Sterling: Sancho m’u përgjërua t’i ndihmoja të shënonte kundër Kosovës

Futboll

Sterling: Sancho m’u përgjërua t’i ndihmoja të shënonte kundër Kosovës

Më: 11 shtator 2019 Në ora: 19:04
Jadon Sancho

Raheem Sterling ka zbuluar se Jadon Sancho i ishte përgjëruar atij t’ia pasonte topin për ta shënuar golin e parë në karrierë për Anglinë në ndeshjen e së martës kundër Kosovës.

Anglia e fitoi 5:3 trillerin kualifikues për Euro 2020 ndaj një Kosove guximtare në Southampton, duke ia ndërprerë ecurinë gati dyvjeçare pa humbje kombëtares verdhekaltër.

Anësori i Borussia Dortmundit ia doli ta shënojë jo një por dy gola për Anglinë natën e së martës, të dyja të asistuara nga Sterling.

Pas ndeshjes, ylli i Manchester City e pranoi se bashkëlojtari i tij 19-vjeçar i kishte shkuar në dhomën e hotelit një natë para lojës për t’i kërkuar ta ndihmojë të shënojë.

“Ai më erdhi në dhomë në orën 10:30 mbrëmë dhe m’u përgjërua t’i ndihmoj të shënojë”, zbuloi Sterling.

“Prandaj, jam shumë i lumtur që ai shënoi. Ai është djalosh i mirë. Kur unë isha në moshën e tij, nuk mund t’i bëja disa gjëra që ai po i bën tani. Ai është shumë profesionist”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat