Kombëtarja e Kosovës shqiptarët po i bën krenarë, botën po e mahnitë 

Futboll

Kombëtarja e Kosovës shqiptarët po i bën krenarë, botën po e mahnitë 

Nga: Fazli BERISHA               Më: 12 shtator 2019 Në ora: 10:44
Lojtarët e Kosovës

Nga këndi im
Nuk e besojë dhe mendja me thotë, se askush nuk e mbanë mend që një shtet, si Kosova të ketë arritur për vetëm, më pak se tri vite, kaq shumë suksese në futboll. Sa e sa sfida kaloi përgjatë viteve futbolli i Kosovës, por kurrë nuk u ndalë siç po thonë edhe të tjerët, djem të dalë nga lufta po pushtojnë fushat e gjelbra.

Ndërtimi i Kombëtares së Kosovës nisi me shumë angazhim, mund dhe punë të zellshme e përkushtim i të gjithëve pa përjashtim dhe kjo punë tashmë po shihet ku do me rezultate. Kombëtarja e Kosovës, arriti të qëndrojë e pamposhtur për 15 ndeshje, një ecuri fantastike duke shijuar së fundi një humbje siç e tha edhe publicisti Berat Buzhala “humbja më e ëmbël”. Djemtë e Kosovës u rritën me shpejtësi të madhe, krijuan një grup homogjen duke u imponuar edhe Kombëtareve më të mëdha respekt dhe duke vënë aureolën e një vendi, që veç hapësirës, brenda saj ka një minierë me thesar talentesh, të cilët kur tash janë bërë pjesë e eventeve evropiane e botërore, janë bërë krenaria e Kosovës dhe ankthi i kujtdo që i del përballë në betejat e fushave të gjelbra.

Dardanët, me rezultatet tashmë të ditura na kanë bërë të gjithëve krenarë e gjithë botën e kanë mahnitur. Ku do që u paraqiten si brenda si jashtë ishin të mrekullueshëm në fushë e në tribuna nuk mungoi as përkrahja e as atmosfera e zjarrtë. Në ndeshjen e fundit në Angli, dukej sikur ndeshja po zhvillohej në Kosovë, duke dëgjuar thirrjet pandërprera të mijëra shikuesve “Hajde Kosovë, hajde Kosovë”.   Këto paraqitje fantastike kanë marrë vëmendjen e gjithë botës.  

Këtë nuk po e themi vetëm ne, por sukseset e Kombëtares kanë pushtuar faqet e medieve dhe ekraneve botërore. Mjafton të i hedhesh një sy faqeve të gazetave dhe të ekraneve televizive, ndonëse pësoi humbje pas 15 ndeshjeve, të gjithë vunë në spikamë, ngritjen marramendëse, shkëlqimin me rezultate mbresëlënëse.

Ndonëse, humbja erdhi pas 15 ndeshjeve, në vendin ku u lind loja e futbollit, djemtë e Kosovës impresionuan me lojë, karakterin e treguar në fushë, duke rrëmbyer zemrat, jo vetëm tonat, por edhe të mbarë botës e madje edhe të kundërshtarëve të Kosovës. Anë e kënd botës mediet po shkruajnë e po flasin për Dardanët. ITV angleze kishte bërë emision special për ta duke ndërlidhur edhe luftën e fundit në Kosovë me sukseset e ekipit tonë kombëtar.

Gazetat më të mëdha botërore nga NT, The Guardian, Telegraph e shumë e shumë të tjera në faqet e tyre po pasqyrojnë sukseset e dardanëve. Mediet çeke pas humbjes në Prishtinë të ekipit të tyre, jo vetëm që kishin lavdëruar ekipin tonë, por e thanë edhe në të vërtet se në Prishtinë edhe stadiumi me 200 mijë ulëse do të mbushej plotë. Bie në sy edhe komentet e adhuruesve serb të cilët pavarësisht kundërshtisë së tyre një prej tyre kishte shkruar, “pa marrë parasysh humbjen 5:3 Kosoova tregoi se është skuadër e shkëlqyeshme, gjyqtari hapur ishte në anën e anglezëve, ndërsa ndeshjen e ardhshme në Prishtinë, Kosova edhe mund ta mposhtë Anglinë. Gazeta sportive më e madhe italiane “Gazzetta dello Sport” kishte shkruar “Hirushë” që ëndërron Euro 2020”. Gazetari i “The Guardian”, Bryan Armen me të drejt kishte shkruar duke cilësuar si “Brazili i Ballkanit”. Edhe BBC i ka kushtuar një artikull të gjatë ecurisë së Dardanëve. Ndërkaq, specialisti italian i futbollit në Evropë Gianluca Di Marzio, ka thënë:” Kontestuar, kohët e fundit, ende pa u njohur  nga të gjithë.

Por tani djemtë e Chalandes kanë qenë të pamposhtur për gati dy vjet dhe ëndërrojnë evropianin: Kështu që futbolli i jep zë një pavarësisë së mohuar nga disa”. Kameramani anglez Chris James, i cili para 22 viteve kishte qenë foto reporter i luftës në Kosovë dhe kishte regjistruar tmerret e luftës, mbrëmjen e 10 shtatorit ishte në stadiumin “St . Mary s” në Southampton,  për Kosovën, por krejt ndryshe nga para dy dekadave. përmes kamerës  po pasqyronte një ndeshje të bukur futbolli.

Për ta përmbyllur me këta pa margaritarë në oqeanin e madh të margaritarëve për Dardanët do ta them edhe cilësimin e përzgjedhësit të Anglisë Gareth Southgate, i cili tha se Kosova duhet të ndjehet krenare me këtë ekip. Mbase për dardanët asnjëherë nuk është e mjaftueshme të thuhet e të shkruhet, sepse ata me punën e tyre i kanë bërë vetes vend në historinë më të re të Kosovës, duke u shndërruar në heronj të paqes.

Por, gjithsesi këtë gjë nuk do ta kishin arritur edhe pa dashurinë që i dhuruar adhuruesit “Dardanët” dhe popullin shqiptarë anë e kënd botës. Pa mbështetjen e a parezervë të FFK-së, pa përkrahjen e institucioneve të shtetit të Kosovës që gjithë arsenalin e kanë vënë në shërbim të djemve të Kosovës.  
Duke përmbyllur këta rreshta, mund të them se sukseset e djemve dhe vajzave tona,  do të vazhdojnë me përgjegjësi dhe krenari ” duke na bërë të gjithëve krenarë e ne do t’u jemi mirënjohës dhe  do t’u themi përjetë FALEMNDERIT.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat