Plas skandali në Austri, ish-lojtari i dënuar akuzon presidentin e Skënderbeut

Futboll

Plas skandali në Austri, ish-lojtari i dënuar akuzon presidentin e Skënderbeut

Më: 12 shtator 2019 Në ora: 13:18
Plas skandali në Austri, ish-lojtari i dënuar akuzon presidentin e Skënderbeut

“A keni kohë për një kafe? Doja të flisja pak me ju”. Kështu e nis artikullin media austriake “Krone”, e cila sjell për publikun një rrëfim tronditës nga ish-lojtari i kombëtares austriake, Sanel Kuljiç, i cili u dënua për manipulim ndeshjes, por tashmë është liruar.

Mes shumë telefonatave që vijnë në redaksinë tonë – shkruan “Krone Zeitung” – interes të veçantë kishte ajo e Kuljiç, i cili kishte kërkuar të bisedonte me ta. Ai ka interes të veçantë, pasi në vitin 2014, u përfshi në skandalin e basteve në Austri, dhe u dënua me 5 vite burg pas hetimit.

Tashmë ai është liruar nga burgu pak më herët para se të përfundonte dënimi, për sjellje të mirë, por tregon më shumë se sa 41 vite që ka mbi shpinë. Ja si e nis ai rrëfimin: “Gjithçka ishte shumë e qetë, harmonike, deri kur… Tani jam shumë i frikësuar për jetën time. U përpoqën të më kontraktojnë sërish përmes një ish-të burgosuri, dhe më bënë presion. Tani jam i shqetësuar për jetën time”.

Gazeta austriake shkruan, se Kuljiç e ka fjalën për “bosat” e vërtetë pas skandalit, që nuk u thirrën kurrë për dëshmuar, dhe sipas tij janë shqiptarë. Presidenti i klubit profesionist “Skënderbeu”, që tashmë është dënuar për 10-vite nga UEFA për fiksim ndeshjesh, si dhe administratori(CEO) i një prej kompanive më të mëdha distributore në Shqipëri, e cila reklamon pijen më të famshme energjike austriake. Emrat janë të njohur për gazetën “Krone”, dhe Kuljiç garanton duke u betuar, për vërtetësinë e fjalëve të tij.

“Janë këta zotërinjtë që japin para për lojtarët e përfshirë në baste. Kështu ndodhte atëherë, po kështu ndodh edhe tani. Ditët e sotme? Po, ndeshjet akoma manipulohen në ligën elitare austriake. Dua të shprehem për publikun tani, sepse ky hap më jep më shumë siguri për jetën, se sa të pres hetimet e gjata dhe pa fryte të policisë” – shprehet i bindur Kuljiç.

Ai shprehet se Policia Federale është në dijeni të kësaj çështje. Edhe drejtori i Kodit Fair-Play, Severin Moritzer, është vënë në dijeni nga ana e tij, shprehet Kuljiç: “E kam informuar, por nuk ka qenë shumë i interesuar. Sidoqoftë, koha do ta tregojë të vërtetën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat