A jeni dakort? Përzgjidhet top-formacioni i botës, që kushton 1.2 miliardë euro

Futboll

A jeni dakort? Përzgjidhet top-formacioni i botës, që kushton 1.2 miliardë euro

Më: 13 shtator 2019 Në ora: 16:11
Foto ilustrim

Cili do të ishte top-formacioni më i mirë i botës, me futbollistët aktualë? Me siguri, përgjigjja për këtë nuk është e thjeshtë, as misioni për ta formuar atë. Ka vendime të vështira për t’u marrë pothuajse në çdo pozicion. Pikëpyetje të tilla janë mëse normale: Alisson Becker, Marc-Andre ter Stegen apo Jan Oblak në portë? A duhet përfshirë Raheem Sterling? Kush e bën më mirë partnerin e Virgil van Dijk në mbrojtje? Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Kevin De Bruyne dhe Van Dijk mund të jenë katër emrat e vetëm, të garantuar në këtë ekip ëndrrash. ESPN ka guxuar dhe u ka kërkuar ekspertëve të vet që të formojnë një 11-she të tillë, më të mirën, e cila, sipas tyre, mund të fitonte çdo gjë në futbollin e sotëm.

Paratë (çmimi i lojtarëve) nuk ishin objekt, megjithëse ekipi i ekspertëve duhej të ndiqte disa rregulla: Jo më shumë se dy lojtarë nga i njëjti klub; formacionin 4-3-3, një modul bazë për kaq shumë ekipe të niveleve të larta; pozicionimi në role natyrale etj. Zgjedhjet e të gjithë ekspertëve të ESPN u grumbulluan dhe lojtari më i përzgjedhur në secilin pozicion u bë pjesë e këtij top-formacioni. Ato zgjodhën një ekip, që do të kushtonte afërsisht 1.2 miliardë euro me çmimet aktuale të tregut. Emrat, bashkë me çmimet përkatëse të kartonëve të tyre, janë si më poshtë:

Portier | Jan Oblak | Atletico Madrid | Vlera e transferimit: 100 milionë €
Mbrojtës i djathtë | Joshua Kimmich | Bayern Munich | 70 milionë €
Qendërmbrojtës | Virgil van Dijk | Liverpool | 90 milionë €
Qendërmbrojtës | Kalidou Koulibaly | Napoli | 75 milionë €
Mbrojtës i majtë | Andrew Robertson | Liverpool | 60 milionë €
Mesfushori djathtë | Kevin De Bruyne | Manchester City | 130 milionë €
Mesfushor qendror | N’Golo Kante | Chelsea | 100 milionë €
Mesfushor i majtë | Frenkie De Jong | Barcelona | 85 milionë €
Sulmues i majtë | Lionel Messi | Barcelona | 150 milionë €
Sulmues qendre | Kylian Mbappe | PSG | 200 milionë €
Sulmues i djathtë | Cristiano Ronaldo | Juventus | 90 milionë €
* Të gjitha vlerat e transferimit janë nga “Transfermarkt”.

Ky është top-ekipi, që do të fitonte gjithçka. Por, siç do të ndodhte, ESPN ka lënë jashtë disa emra të profilit të lartë. Alisson i Liverpool mungon, përkundër faktit se ishte ylli i portës për vitin 2019. Nuk ka vend as për shokun e tij të klubit, Mohamed Salah. Ndërkohë, Bernardo Silva ka qenë i jashtëzakonshëm për Manchester City dhe Portugalinë. Ai ndoshta mund të ndjehet i pavlerësuar nga kjo përzgjedhje. Nuk ka vend as për Robert Lewandowski. Thënë më shkoqur, ekipi i ekspertëve të ESPN ka shkaktuar një trazirë në mesin e tifozëve të futbollit, që kanë reaguar në mënyra nga më të ndryshme në rrjetet sociale për emra të veçantë, të mbetur jashtë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat