Rebic ekzalton tifozët e Milanit: Jam luftëtar, gati të luaj që të dielën

Futboll

Rebic ekzalton tifozët e Milanit: Jam luftëtar, gati të luaj që të dielën

Më: 13 shtator 2019 Në ora: 19:39
Ante Rebic

Milani ka prezantuar sulmuesin kroat, Ante Rebic. Një përforcim “in extremis” në merkaton e kësaj vere, që rrit konkurrencën në sulmin kuqezi. Para gazetarëve, ndër të tjera, ish-lojtari i Eintracht Frankfurt, tha: "Unë mendoj se pas përvojës në Gjermani, te Frankfurt, jam rritur dhe jam krejtësisht i gatshëm për të luajtur këtu. Trajnerët e fundit më kanë ndihmuar aq shumë për t'u rritur. Ndihem i pjekur për këtë përvojë në krahasim me më herët.

Unë jam një tip lojtari luftarak, kam ardhur këtu sepse është një sfidë e mirë. Konkurrenca me këta lojtarë do të më bëjë mirë dhe sigurisht që do të rritem më tepër. Ndeshja me Veronën? Ndihem mirë dhe i përgatitur. Kam luajtur me kombëtaren dhe në Frankfurt. Jam mirë dhe gati të luaj, por varet nga trajneri, që do të zgjedhë formacionin.

Ndikimi i Boban në këtë zgjedhje? Unë tashmë dija shumë për Milanin dhe historinë e tij. Me Boban nuk folëm për asgjë në mënyrë të veçantë, sepse dija gjithçka për këtë klub të madh. Ramë dakord se këtë sezon duhet të bëj mirë, të tregoj veten. Kur erdha për herë të parë në Itali, isha shumë i ri dhe me pak përvojë. Tani, pas Frankfurtit ndihem shumë i rritur si futbollist. 

Unë dua t’i falënderoj të gjithë që gjenden këtu. Jam i lumtur, përmbush një ëndërr që bashkohem me këtë klub. Unë kam bërë tashmë disa trajnime me ekipin dhe shpresoj të kem një sezon të mirë. Ditëlindja ime koinçidon me derbin e Milanos? Po, atë ditë mbush 26 vjeç dhe do të dëshiroja që Milani të fitonte. Nuk e di sesi do të jetë performanca ime në fushë, por shpresoj për fitore.

 

Unë erdha fillimisht në Itali, pastaj shkova në Gjermani dhe tani sërish në Serie A. Të gjithë këto hapa ndihmuan në rritjen time, jo vetëm në futboll, por edhe në aspektin njerëzor. Ndihem i gatshëm për këtë sfidë dhe për betejat që më presin këtu në Milano. Si e imagjinoj golin e parë me kuqezinjtë? Nuk mendoj për këtë, por kur të ndodhë nuk do të jem shumë entuziast, sepse jam karakteristik në mënyrën time. Do të kalojë pothuajse pa u vënë re.

Preferenca taktike? Unë jam mësuar me modulin 4-3-3, edhe pse jo gjithmonë kam luajtur si “pykë”, por si sulmues i dytë. Kjo do të varet nga ajo që dëshiron trajneri. Në ekipin tim të mëparshëm kemi luajtur me tre sulmues të ndryshëm, ku të gjithë kishin rolin e tyre. Edhe këtu mendoj se do të jetë kështu. Trajneri Giampaolo? Nuk e njihja, por kam dëgjuar vlerësime pozitive për të, gjithashtu nga Boban. Në këto tri-katër ditë kam krijuar një përshtypje të mrekullueshme për të.

Një transferim eventual tek Interi? Unë nuk kam folur me zikaltrit, mbase e ka bërë menaxheri im. Kur dëgjova për interesin e Milanit, nuk pata asnjë hezitim. Menjëherë zgjodha kuqezinjtë, pasi fola edhe me babain tim. Numri i fanellës? Do të doja “4”, por ishte i zënë. Boban ishte shumë i rëndësishëm, personi i parë me të cilin fola, i cili më dha këshillat e duhura".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat