Traditë dhe rivalitet, Superiorja “ndizet” me tri sfida

Futboll

Traditë dhe rivalitet, Superiorja “ndizet” me tri sfida

Më: 14 shtator 2019 Në ora: 10:54
Traditë dhe rivalitet, Superiorja “ndizet” me tri sfida

Kategoria Superiore kthehet këtë të shtunë, pas pauzës së shkurtër për ndeshjet e kombëtares, me 3 duele mjaft interesante, që nisin në të njëjtën orë, 16:00. Përplasje tradite dhe rivalitet i fortë në Tirana-Skënderbeu, Teuta-Vllaznia dhe Luftërari-Flamurtari.

Tirana-Skënderbeu: 2 vjet me pare, në “Selman Stermasi”, Tirana e Ilir Dajës zhvillonte ndeshjen më të mirë të sezonit, teksa mposhtte 2-1 Skënderbeun kampion të disa viteve radhazi, duke krijuar iluzionin se bardheblutë po ktheheshin aty ku duhet. Mbeti i tillë, pasi Ilir Dajën, pas pak javësh, e zëvendësuan dhe Tirana atë vit ra për herë të parë nga kategoria.

Sa shumë gjëra kanë ndryshuar 2 vjet më pas, në këtë rikthim në “Selman Stërmasi”. Daja rikthehet me një Skënderbe që titullin e ka përtej kapaciteteve reale, shikon kundërshtarë Osmanin dhe Vangjelin, dy ikona të epokës së suksesit korçar, që tanimë me fanellën bardheblu kontribuojnë në rikthimin e Tiranës së madhe.

Me siguri Ardian Mema do të firmoste që sot për një fitore si ajo e para dy viteve. Nxënësi kundër profesorit, dueli i stolave mes tij dhe Dajës, por ajo që vlen më tepër janë ambiciet dhe shpresat që ka krijuar këtë vit Tirana. Skënderbeu vjen pas një “dushi të ftohtë” në sfidën me Bylisin. Efekti kohë mund t’i ketë shërbyer, por ndërkohë Dajës i duhet ende të arnojë për të konfiguruar formacionin. Mungesa të rënda ato të Bruno Ditës e me shumë mundësi dhe ish-it Turtulli, që kushtëzojnë trajnerin për t’iu dhënë besim të rinjve Xhemaili e Vitia në mbrojtje, ndërsa në mesfushë mund të aktivizohet një tjetër ish, Asion Daja.

Mungesa dhe në kampin e Tiranës, ku spikat ajo e portierit Ilion Lika, nuk do të jetë as Torasa, por bardheblutë kanë mundësinë për më tepër opsione, kohët kanë ndryshuar dhe sot është Tirana skuadra me çdo rol të dubluar,  rrjedhimisht edhe me më shumë presion për fitoren. Skënderbeu vjen për të bërë surprizën, tanimë si “outsider”.

Teuta-Vllaznia: Tradita e futbollit në skenë në “Niko Dovana”, aty ku përballen Teuta dhe Vllaznia, skuadra që i kanë dhënë kripën elitës së futbollit shqiptar ndër vite. Për bregdetarët, më të vetëdijshëm për potencialin e tyre pas 7 pikëve në 3 javët e para, sfida e duhur për një tjetër fitore, për Vllazninë, duke parë forcën e kundërshtarit dhe faktin që luan në transfertë, ndoshta i pëlqyeshëm edhe një barazim.

Bledi Shkëmbi në vitin e tij të dytë në stolin e Teutës pa dyshim që synon të bëjë diçka të madhe, të paktën Europa, pastaj ndoshta një konkurrencë më e fortë në “vallen” e titullit, aty ku vjet mundi të hedhë vetëm pak hapa. Për këtë takim trajneri pritet të mos ketë të gatshëm një lojtar kyç në mesfushë si Kallaku, por aq Beqjen, ndërkohë që ngroh rikthimi i Arbër Cyrbjes.

Kërkon të bëjë surprizën Vllaznia. Mirsad Jonuz ka patur ditë të çmuara në dispozicion për të kolauduar skuadrën, ku ka patur afrime edhe në fund të gushtit, ndërsa pauza ka shërbyer edhe për të gjetur një formë më të mirë për disa prej tyre. Wenderson kandidohet për një vend titullari në majën e sulmit, ku trajneri duhet të vendosë mes tij dhe Zogajt. Vllaznia ka shënuar vetëm një gol në këto tri javë të para, atë në ndeshjen e parë ndaj Laçit dhe mbrojtja e Teutës që në këtë fillim sezoni ka shfaqur stabilitet do të jetë një provë edhe për kapacitetin sulmues të skuadrës kuqeblu.

Luftëtari-Flamurtari: Në kërkim të fitores së parë, por edhe të pikës së pare Luftëtari dhe Flamurtari. Skuadrat pasqyrojnë problemet financiare dhe vonesat në përgatitje në këtë fillim kampionati, ku Luftëtari ende nuk po gjen stabilitet. Kampionati rinis me grekun Jorgos Marantas në stol dhe skuadrën e ka lënë dhe Mario Morina, një nga ato afrime që kishin ngjallur entuziazëm, megjithatë në Gjirokastër janë të bindur se skuadra do të dijë të gjejë veten për të përmbushur pritshmëritë.

Në aspektin e kalendarit, për trajnerin grek nuk mund të ketë debutim më të mirë se një sfidë në shtëpi me Flamurtarin, megjithatë të dyja skuadrat vuajnë krizën dhe është pikërisht kjo përballje që do të evidentojë se te cila është më e zezë.

Në kampin vlonjat pozitiv fakti se pauza nuk ka sjellë dëmtime, ndërkohë që koha ka shërbyer për rikuperimin e një prej lojtarëve më të rëndësishëm, Xhevahir Sukajt, eksperienca dhe nuhatja e tij prej “bomber” është e paçmuar për një grup të dyndur nga lojtarët e rinj, megjithatë mbetet për t’u parë nëse do të jetë në fushë që nga fillimi.

Pauza ka ardhur pikërisht atëherë kur duhej për dy skuadra të krijuara me një frymë në ditët e fundit, kjo është sfida që do të thotë se cila prej tyre ka përfituar më shumë, e natyrisht ka më tepër brumë për të parë dritën në fund të tunelit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat