Dushi në formë, Malisheva po befason të gjithë! - Bota Sot
Dushi në formë, Malisheva po befason të gjithë!

Futboll

Dushi në formë, Malisheva po befason të gjithë!

Nga: Kemajl Goca Më: 17 shtator 2019 Në ora: 16:25
KF Malisheva

Debutuesi Malisheva po befason të gjithë me lojëra të mira në hapje të edicionit të ri në Ligën e Parë të Kosovës në futboll. Malisheva në tri ndeshjet e para ka dy fitore e një barazim dhe prinë në renditje me 7 pikë, sa ka edhe Istogu në pozitën e dytë.

Në hapje Malisheva barazoi si vendas me rezultat 0:0 me KEK-un, pastaj triumfoi me 4:3 në Pozhoran kundër Vllaznisë dhe para shikuesve të vet e mposhti me 3:1 Vitinë. Ecuri fantastike e debutuesit në ligën e parë që i gëzon shumë dashamirët e futbollit në Malishevë e me rrethinë. Veçoria tjetër është sulmuesi Nikollë Dushi, i cili për tri ndeshje ka shënuar 5 gola apo nga gjithsej 7 sa ka shënuar ekipi.

Dushi është i ngazëllyer që nga shtatë gola të ekipit pesë i ka realizuar ai, por për të primare është që të luftojnë për pikë dhe pak ka rëndësi se kush shënon! “Çelësi i këtyre rezultateve të mira është që kemi një grup të lojtarëve mjaft cilësorë, kemi një harmoni brenda ekipit tonë nga kryesia, shtabi teknik dhe lojtarët, ku besoj që në shumicën e klubeve tjera mungon kjo gjë!”, thotë Dushi.

Edhe sivjet pritet që liga e parë të jetë shumë interesante dhe sipas këtyre tri javëve të para pritet që të kemi edhe befasi të mëdha siç ka ndodhur deri me tash. E niset me barazim 0:0 me KEK-un, pastaj me 4 golat tuaj e mposhtet Vllazninë në Pozhoran me 4:3 dhe së fundit me 3:1 Vitinë, rezultate të papritura? “Për opinionin munden me qenë rezultate te papritura, mirëpo nga ne si klub nuk kanë qenë rezultate të papritura duke parë që kemi një ekip mjaft cilësor dhe me shumë talent në ekip”, përgjigjet futbollisti. Sfida e radhës pritet me kërshëri sepse dy ish skuadrat e ligës së dytë do të takohen mes vete, Dardana-Malisheva. Malishevasit synojnë që të vazhdojnë me ecurinë e rezultateve të mira dhe të ruajnë edhe pozitën e parë.  

“Në sfidën e radhës kundër Dardanës ne do të udhëtojmë për një rezultat pozitiv, ku unë besoj në fitore”, tha Dushi.

Sa jeni i kënaqur me kushtet dhe a synoni të jeni shënuesi më i mirë? “Me kushte jam tejet i kënaqur! Kanë një kryesi mjaft korrekte që po bëjnë një punë mjaft të madhe në klub. Ndërsa sa i përket shënuesit më të mirë, nuk e kam atë synim sepse për mua në rend të parë është suksesi i klubit e pastaj vijnë sukseset individuale”, thotë Dushi, i cili është në formën më të mirë të mundshme.

Më tej flet për synimet dhe atmosferën që mbretëron në Malishevë pas këtyre rezultateve të mira.

“Synimet e klubit të Malishevës janë që të jenë sa më lartë në tabelë. Në Qytetin e Malishevës mbizotëron një atmosferë mjaft e mirë, ku deri me tani janë shumë të kënaqur me rezultate dhe besoj që edhe në vazhdim të kampionatit do të kemi rezultate pozitive ku do ta gëzojmë gjithë Qytetin e Malishevës”, përfundoi Dushi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...