Shosholli: Gafurr Kabashi m’u drejtua, zotëri Ajet, ju duhet ta pranoni postin e selektorit! - Bota Sot
Shosholli: Gafurr Kabashi m’u drejtua, zotëri Ajet, ju duhet ta pranoni postin e selektorit!

Futboll

Shosholli: Gafurr Kabashi m’u drejtua, zotëri Ajet, ju duhet ta pranoni postin e selektorit!

Nga: Kemajl Goca Më: 18 shtator 2019 Në ora: 16:41
Ajet Shosholli

I madh dhe i vogël jetojnë me rezultate shumë të mira të kombëtares së Kosovës. Djelmoshat tanë po sjellin emocione të pafundme, që nga Liga e Kombeve e deri të kualifikueset për Kampionatin Evropian 2020. Kosova pas 15 ndeshjeve u mund në Southampton nga Anglia me rezultat 5:3, në ndeshjen e grupit A të kualifikueseve për Kampionatin Evropian!

Image

Kosova ka rastin historik që të kualifikohet, për faktin se qëndron shumë mirë në grup e cila renditet në pozitën e tretë me 8 pikë, ka një me pak se Çekia dhe katër se Anglia! Kosova ka një histori interesante e të dhimbshme, e cila në kohën kur luajti sfidën e parë, në periudhën e vitit 1992, pa dyshim se atëkohë kishin emocione të pakufishme dhe aq me tepër që ishin nën kërcënimet e regjimit kriminal të Serbisë!

Ajet Shosholli, selektori i parë i Kosovës, në vitin 1991, flet me shumë emocione që nga sfida e parë e Kosovës, që ishte sikur nëpër teh të shpatës, e deri te kombëtarja e sotme, që po bënë krenarë të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë e veprojnë.  

Shosholli kujton me emocione kohën kur e kishte pranuar postin e selektorit (selektori i parë) dhe fjalët e Gafurr Kabashit, në fillim të viteve të 90-ta, nënkryetar i Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës.

“Pas dorëheqjes time me KF Prishtinën, së bashku me futbollistët prej ligës serbosllave, prej ligës së dytë ish federative, që atëkohë Prishtina ishte i vetmi klub profesional në të gjitha ligat (vër. jonë Kosovë), më thjesht që jetonte prej futbollit, pas dorëheqjes me Prishtinën nga ajo ligë, me formimin e kryesisë së FFK-së në krye me Agim Bytyçin kryetar, dhe nënkryetarët Gafurr Kabashi e Hamdi Tovërlani, me kujtohet si sot në takimin e parë që e mbajti federata, nëse nuk gaboi me 20 gusht, nënkryetari Gafurr Kabashi, e di që m’u drejtua: “Zotëri Ajet, ju duhet ta pranoni postin e selektorit dhe e dimë që do të jetë shumë vështirë, mirëpo duhet ta pranoni postin e selektorit”.

Normalisht e pranova me plotë kënaqësi, kështu që me 20 gusht u caktova seleksionuesi i parë i Kosovës. Pas 7 muajve e luajtëm edhe ndeshjen e parë si kombëtare, atëherë quhej si reprezentacion. Me 5 prill të vitit 1992 luajtëm me ekipin e Shkëndijës së Tetovës. Së pari herë që luajtëm etnikisht të pastër si kombëtare, dhe Shkëndija, që për herë të parë e filloi aktivitetin e vet, pasi që në vitin 1979 edhe atyre politika maqedonase e atëhershme, ia kishte ndaluar veprimtarinë, kështu që aktivitetin e tyre e filluan në vitin 1991-1992 dhe edhe për ata ishte si ndeshja e parë.

Image

Kosova në Tiranë në vitin 1993 

Më kujtohet si sot, ne udhëtuam me 2 prill dhe u akomoduam në bregun e diellit, si i thoni qendra sportive Popova Shapkë, aty qëndruam tri ditë, deri me 5 prill, ku në stadiumin e Qytetit në Tetovë, e luajtëm ndeshjen dhe që ishte edhe festë Bajrami, ku u mblodhën afër 10 mijë shikues. Ishte ndeshje e pëlqyer nga të dyja palët edhe pse rezultati nuk ishte me rëndësi, ne fituam at ndeshje me 4:0, me dy golat e Ramiz Krasniqit, Genc Hoxhës nga penalltia dhe Ibrahim Domit.

At ndeshje e kishte referuar, tani veç i ndjerë, Shinasi Berisha, që ishte një lloj përshëndetje edhe e tij, mendoj prej referimit”, tregon Shosholli për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Viti që nuk harrohet padyshim është ai me 14 shkurt të vitit 1993, kur kombëtarja e Kosovës ndeshet në takimin revyal në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë me Shqipërinë. Ndeshje që zgjoi emocione të mëdha dhe ishte takimin ndërvëllazëror apo ndërshtetëror, Shqipëri-Kosovë. Kjo ndeshje kishte një rëndësi të madhe edhe pse rezultati kishte pak rëndësi. Sfida u fitua me 3:1 nga Shqipëria.

“Edhe në ndeshjen e parë, që e ceka më parë, ka pasur emra të njohur, nëse nuk është e tepër,  të them, se në memorien time ende e mbajë formacionin e parë me Shkëndijen, si portieri Ahmet Beselica, Fadil Berisha, Bashkim Radogoshi në anën e majtë, dy qendërmbrojtës Isa Sadriu dhe Skënder Shengyli, mesfusha Arsim Gashi, Bakir Burri, pastaj Genc Hoxha, Suad Keçi si dhe dy sulmuesit Ramiz Krasniqi dhe Ibrahim Domi, pastaj ka hyrë edhe Afrim Tovërlani edhe të tjerët.

Ky ishte formacioni i ndeshjes së parë. Në pyetjen e juaj, për ndeshjen e 14 shkurtit të vitit 1993, ndërlidhem, në bëmë edhe një takim pas 9 muajve diferencë: nga prilli 1992 e në shkurt të vitit 1993, ku ishin në një turne njëjavor në Shqipëri (11-18 shkurt), dhe me 14 shkurt luajtën ndeshjen me Shqipërinë, përndryshe ka qenë ditë e diel. Me kujtohet se Shqipërisë i shërbente si ndeshje kontrolluese para ndeshjes me Irlandën Veriore, që e kishin për kualifikimet për Kampionatin Botëror, që fatkeqësisht pastaj at ndeshjen ata e humbën me 2:1.

Në at ndeshje në kombëtaren tonë kemi pasur emra të njohur si Ardian Kozniku, që luante atëkohë për Hajdukun e Splitit, Muharrem Sahitin atëbotë në Konyaspor, pastaj Isa Sadriu, Bardhec Seferi, Kushtrim Munishi, gjithashtu pjesë e kombëtares ishte edhe Ramiz Krasniqi, Sadullah Ajeti, të cilin këtë vit e patëm shpallur edhe futbollist të Vitit 1993, kështu që ka qenë ajo një ndeshje të cilën e humbëm me 3:1 dhe mendoj se lamë përshtypje shumë të mirë, sepse tek e fundit atje shkuam me nëntë stërvitje”, thotë Shosholli. (Vijon).

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...