Teuta fiton mes polemikash, Vllaznia bën poker

Futboll

Teuta fiton mes polemikash, Vllaznia bën poker

Më: 28 shtator 2019 Në ora: 18:41
Teuta fiton mes polemikash, Vllaznia bën poker

Një javë pasi mposhti Tiranën dhe i mori kreun e renditjes, Kukësi nuk ia doli të bëjë të njëjtën gjë në Durrës përballë Teutës vendase, ku u mposht me rezultatin minimal 1:0 dhe regjistroi humbjen e dytë sezonale.

Në stadiumin “Niko Dovana” i cili u bë gati vetëm pak orë më parë për të pritur këtë takim, u zhvillua një 90-minutësh shumë i luftuar nga të dy skuadrat, me Teutën që shfaqej shpesh herë e rrezikshme në sulm, e ndihmuar edhe nga rikthimi i fantazistit Kallaku.

Nga ana tjetër, verilindorët e Shpëtim Duros vuanin jo pak terrenin e rënduar, që nuk i lejonte të dilnin në lojën e tyre më të mirë, ndërsa gjërat u bënë më të vështira në minutën e 72-të, kur mbrojtësi i djathtë Edis Maliqi mori kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën me 10 futbollistë.

Momenti kulminant i takimit ishte në minutën e 84-t, kur arbitri kryesor i takimit akordoi një 11-metërsh në favor të vendasve, për një faull të dyshimtë të Obanor në dëm të Rustem Hoxhës, që pasoi edhe protestat e verilindorëve.

Megjithatë penalltinë e mori përsipër i rikthyeri Sherif Kallaku, që me një qetësi për t’u admiruar, arriti të çojë në krahun e djathtë portierin Xhika dhe në të majtë topin, duke gjetur rrjetën me vlerë 3-pikëshe për durrsakët.

Skuadra e Kukësit tentoi reagimin, ndërsa në minutën e 88’ forcat në fushë u balancuan, pasi Teodorovski la Teutën me 10 futbollistë pas dy kartonëve të verdhë, por sërish kjo nuk mjaftoi që verilindorët të gjenin një gol dhe të shmangnin disfatën.

Bylisi po konfirmohet si një “kockë e fortë” këtë sezon, teksa pasditen e sotme ka shkatërruar Flamurtarin me rezultatin 5-0, në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Adush Muça” të qytetit të Ballshit.

Mallakastriotët zhbllokuan sfidën me sulmuesin shkodran Qardaku në minutën e 30’, ndërsa gjithçka më pas ishte dishezë e vërtetë, pasi arritën të dërgojnë edhe 4 herë të tjera topin në rrjetë, me anë të Goxhaj, Guindo, dhe Ntephe dy herë.

Kjo ishte fitorja e tretë në 6 javë për ballshiotët, që e shohin veten përkohësisht në krye të renditjes me 11 pikë, po aq sa edhe numri i golave të shënuar në këtë start kampionati, që konfirmon sulmin mallakastriot si më të mirin e momentit.

Fitore me mjaft vlera mori edhe Vllaznia në “Lorio Boriçi”, me rezultatin e pastër 4-0 ndaj Skënderbeut. Nën mbështetjen e tifozërisë shkodrane, të rikthyer pas pezullimit, Vllaznia e Jonuz zhvilloi një 90-minutësh mjaft të mirë, ku gjeti golat e munguar që nga java e parë dhe sigurisht fitoren e dytë sezonale.

Shkodranët e nisën mjaft mirë takimin, duke prodhuar shumë volum loje, por duke vuajtur shumë mungesën e një sulmuesi që të mund të çonte topin në rrjetë, megjithatë në minutën e 39’ arbitri akordoi një 11-metërsh, pas një faulli të Turtullit në dëm të Gurishtës.

Penalltinë e mori përsipër kapiteni Gilman Lika, që arriti të gjuajë saktë dhe të mposhtë Koliçin, duke çuar shkodranët në dhomat e zhveshjes me avantazhin e një goli, ndërsa korçarët tentuan të rikthehen në lojë në pjesën e dytë, duke ndryshuar ndjeshëm lojën e tyre.

Megjithatë në minutën e 68’ ishte sërish Turtulli që bëri një tjetër faull të pafat në zonë, këtë herë ndaj Shtubinës dhe arbitri akordoi penalltinë e dytë për shkodranët, të cilën sërish e ekzekutoi Gilman Lika, duke dyfishuar avantazhin.

Gjithçka u bë më e lehtë më pas për kuqeblutë, që arritën të gjejnë golin e tretë me Zogajn në minutën e 83-të dhe të katërtin me mesfushorin Hygor në minutat shtesë të takimit, duke kompletuar një triumf me goleadë.

Laçi vazhdon të vuajë dhe të tregojë limite në fushën e lojës, teksa sot mori një barazim 1-1 “in extremis” në Gjirokastër ndaj Luftëtarit, pas një penalltie shumë të diskutueshme, të akorduar në minutat shtesë nga arbitri i takimit.

Gjirokastritët vazhdojnë të rriten në formën e tyre dhe në sfidën e sotme zhbllokuan sfidën me anë të Rapos në minutën e 9’, për t’u mbrojtur më pas me fanatizëm deri në minutat shtesë, kur arbitri akordoi 11-metërshin e shumë-kontestuar nga vendasit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat