Sarri “driblon” objektivat në Champions: 3000 faktorë mund të ndikojnë…

Futboll

Sarri “driblon” objektivat në Champions: 3000 faktorë mund të ndikojnë…

Më: 30 shtator 2019 Në ora: 22:16
Maurizio Sarri

Ende i pamposhtur në këtë sezon, me një barazim të papritur në Firence, sa i takon Serie A, dhe një tjetri, jo të shkëlqyeshëm, kundër Atletico Madrid në Ligën e Kampionëve, Juventusi pret të luajë ndeshjen e dytë europiane. Bayer Leverkusen do të jetë përballë bkampionëve të trajnerit Sarri. Skuadra gjermane e filloi keq fazën e grupit, duke pasur parasysh humbjen në shtëpi, kundër Lokomotiv Moska, e cila do të presë Atletico Madridin të martën. Për bardhezinjtë është një sfidë për t’u fituar me çdo kusht, në mënyrë që të marrin tri pikët e para dhe të fillojnë punën për kualifikimin në grup. 

Në prag të provës së radhës, Sarri paralajmëroi për rreziqet që përfaqëson Bayer Leverkusen: "Ne kemi një ndeshje shumë të vështirë përpara, kundër një ekipi të fortë. Nuk mund të mendojmë për Interin, kurrsesi. Na duhet të sfidojmë paraprakisht ekipin me vlerat më të mira fizike të Bundesligës dhe me zotërimin më të mirë të topit. Ata më kanë befasuar. Shkalla e vështirësisë është aq e lartë, sa do të ishte gabim fatal po të mendonim përtej kësaj ndeshjeje, për Interin”.

Rreziku më i madh, nga ana tjetër, do të jetë Havertz: "Havertz është një lojtar, që kombinon cilësi të shkëlqyera fizike dhe teknike. Ai mund të luajë në dy-tri pozicione. Me siguri do të bëhet një nga më të rëndësishmit në Europë, duke marrë parasysh se është i datëlindjes 1999". Sarri nuk i paracakton objektivat e Champions-it, do t’i marrë ndeshjet një e nga një: "Pjekuria jonë në këtë kompeticion duhet të na ndihmojë. Me siguri kemi nevojë për përmirësim. Fitimi i Champions-it mund të jetë synim i dhjetë ekipeve, por episodet do të jenë themelore. Titulli mund të varet nga 3000 faktorë të tjerë. Të kalojmë fazën e grupeve, pastaj do të mendojmë për të arritur deri në fund".

Po cilët janë favoritët e Champions-it, për këtë sezon, ose rivalët e Juventusit? Sarri shton: "Sipas mendimit tim, janë skuadrat angleze. Liga e Kampionëve është mbi çdo kompeticion. Ne duhet ta përjetojmë këtë garë me gëzim dhe jo me presion të madh”. Në fund, pak fjalë për formacionin, që nuk e ka vendosur ende: "Dybala, Higuain dhe Ronaldo së bashku? Le të shohim. Për ata që e shohin ndeshjen nga shkallët e stadiumit, ose përmes televizorit, është një hipotezë interesante, por ne kemi nevojë për ekuilibër. Mund ta konsiderojmë këtë ide për një pjesë të lojës. Besoj se ekipi është gati për këtë eventualitet, sepse mund të provojmë".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat