Stadiumi i ri kombëtar shqiptar

Futboll

Stadiumi i ri kombëtar shqiptar

Më: 3 tetor 2019 Në ora: 13:24
Stadiumi i ri kombëtar shqiptar

Stadiumi i ri kombëtar do të testohet më 30 tetor. “Panorama Sport” ka mësuar se në fund të këtij muaji është programuar një ndeshje kontrolli, për të testuar të gjitha sistemet e impiantit, sikur të luhej një ndeshje zyrtare. Gazeta ka mësuar edhe shtrëngimet e UEFA-s dhe detyrat mbi të cilat po punohet për të riparuar çdo detaj të mbetur në punë e sipër.

Do të jetë një ceremoni madhështore për inaugurimin e stadiumit, por ndeshja e parë që do të luhet aty, e cila do të jetë si një test gjeneral, është kërkuar më 30 tetor. Gazeta ka mësuar se firmës që po kryen punimet i është kërkuar gatishmëria e impiantit në këtë datë.

Nuk është vendosur ende se çfarë karakteri do të ketë kjo ndeshje, teksa një opsion mund të jetë një përballje veteranësh, por institucioni i futbollit në vend do të vërë në zbatim organizimin si për një ndeshje zyrtare.

Do të ketë bileta falas, do të ketë numra biletash dhe vendosje të tifozëve në sektorë të ndryshëm, do të ketë kontrollet e sigurisë në hyrje, do të testohen të gjitha vendkalimet e sportdashësve si dhe të gjitha sistemet e brendshme, si për spektatorët VIP, ashtu edhe për skuadrat dhe të gjitha komoditetet e vëna në zbatim të tyre.

Ditët e fundit ka lindur një problem referuar këndit të kamerave që do të bëjnë edhe transmetimin e ndeshjes. Vendosja e tyre fillestare ka shfaqur një problem referuar transmetimit dhe për këtë është dashur një ndryshim. Për këtë, është gjetur dakordësia që në anët e tribunës qendrore (mbi zonën e ekzekutimit të goditjes nga këndi) të ketë kamera në dy anët. Kjo ofron edhe këndin më optimal të mundshëm.

Gjithashtu, problem i shfaqur ka qenë edhe çështja e kabujve të transmetimit, të cilat janë kërkuar që të vendoseshin si të gjithë instalimet brenda nëpër mure. Por kjo gjë nuk do të jetë e mundur. Gazeta ka mësuar se është shmangur një investim nga 200 mijë euro deri në 450 mijë euro për këtë gjë, sistem i cili do të mundësonte në vazhdimësi prodhimin e sinjalit.

Nëse jashtë vendit kjo është diçka që e menaxhojnë si duhet stadiumet, në vendin tonë është parë si një investim i tepërt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat