Cilat ekipe janë lodhur e cilat po e paguajnë faturën sipas Morinës

Futboll

Cilat ekipe janë lodhur e cilat po e paguajnë faturën sipas Morinës

Nga: Kemajl Goca Më: 4 tetor 2019 Në ora: 16:46
Cilat ekipe janë lodhur e cilat po e paguajnë faturën sipas Morinës

Deri me tani janë zhvilluar tetë javë në IPKO Superligën e Kosovës dhe është një kampionat mjaft interesant. Pothuajse veç kanë filluar të ndahen gjashtë skuadrat e para dhe gjashtë të fundit në renditjen tabelore! Ish futbollisti i mirënjohur, Arbnor Morina, që i takon edhe gjeneratës së artë të Prishtinës, njëherësh edhe trajner, ka analizuar secilën skuadër se çfarë ka treguar deri me tani.

“Kemi një ndarje qysh në fillim të kampionatit, që s’ka qenë më herë në kampionatet e kaluara, mirëpo kjo si pasojë e asaj që kemi ekipe të cilat janë shumë mirë të organizuara edhe financiarisht edhe nga ana e strukturave brenda klubit, por edhe ekipet tjera të cilat i kanë problemet e njëjta, që i kanë pasur çdo vit. Kemi një Feronikel që pas garave të Champions League po tregon shenja të lodhjes dhe kohë pas kohe dhe ndonjë hap fals, edhe pse sipas meje, kanë numër të mjaftueshëm të futbollistëve për më bërë rotacion brenda ekipit.

Kam dëgjuar që trajneri (Vukiçeviç) në një intervistë ka thënë, që kish pasur dëshirë me pas ende futbollistë, ajo është dëshirë e tij dhe shumë me vend nëse kanë mundësi financiare me pasur lojtarë në numër më të madh apo më bollëk, edhe për këtë ligë të Kosovës, qysh e kemi ne, mendoj se brenda Feronikelit ka kualitet për mu bërë rotacioni dhe me vazhduar kampionatin më tutje.

Mendoj që Feronikeli ka me luftuar prapë për pozitat më të larta, për daljen në Evropë. E kemi një ekip të Llapit e cila është shumë konstante që 4-5 vite, prej momentit kur janë kthyer prej ligë së parë dhe kanë bërë dhe disa ndryshime edhe sivjet në formacion, prapë barra kryesore po i bie dy lojtarëve të cilët janë shumë domethënës për ekip, si Mentor Zhdrella dhe Behar Maliqi, që po e kontrollojnë lojën në mënyrën më të mirë. Kanë përforcime edhe në fazën e sulmit ku po tregohet i frytshëm Mërgim Pefqeli i cili nuk e zgjati kontratën me Prishtinën por edhe në vijën e fundit kanë bërë lojtarë mjaft të mirë, të cilët po e kryejnë punën në mënyrën më të mirë, dhe disa prej tyre siç është Benjamin Emini, i cili është shumë lojtar shumë i pjekur dhe personalitet shumë i pjekur, e jep at lojën maksimale në çdo takim.

Kemi Dritën që disa vite është shumë stabile, ka bërë përforcime të mira edhe këtë kampionat, edhe me lojë shumë karakteristike, shumë të mirë, me një kombinatorik të mirë dhe mendoj se deri me tani kanë shkuar shumë mirë, nëse hiqet takimi në xhiron e parë, të cilët me një këmbëngulësi më të madhe kanë mundur me fituar, por u dënuan në fund të lojës me një gjuajtje që është edhe ajo pjesë e futbollit”, tha Morina për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Si e vlerëson Prishtinën, Gjilanin dhe ekipet tjera? “Kemi Prishtinën që e vazhdojë ashtu qysh ke me herët, u bënë disa ndryshime brenda ekipit dhe u morën disa rezultate pozitive, dhe mendoj se Prishtina ka fondin shumë të mirë të lojtarëve, nuk mundet me u fol për diçka që ndoshta ekipi nuk është i kompletuar apo diçka tjetër, por duhet me thënë se është një fond shumë i kompletuar dhe kualitativ.

Gjilanin e kemi një fenomen të ri të futbollit të Kosovës, ku për shembull takimin e djeshëm, të gjithë futbollistët ishin nga jashtë Kosova përpos portierit, do të thotë se ka ndërruar një politikë totalisht në klub dhe tani janë bërë blerje shumë të mëdha e të shtrenjta të futbollistëve e shumë kualitativ.

Edhe Gjilani ka luajtur një lojë shumë të mirë, ka pasur rezultate shumë të mira edhe pse ka pasur edhe nja dy oscilime, por ajo çka vërejta, koncepti i lojës së tyre deri me tani bazohet me topa të gjatë, për arsye se e kanë përpara Bushiqin, që është shtatlartë, në qendër 16-shit dhe kanë Prognin e Grecën, të cilët janë dy anësorë në fazën e sulmit, sidomos Progni që është me kualitete fenomenale teknike dhe mundet mi zgjedhur ndeshjet vet, ajo ndodhi edhe në takimet e fundit, sidomos me Flamurtarin kur ai faktikisht i ka kryer të gjitha punët për fitore.

Pas kësaj kemi ekipe të cilat janë në atë fazën veç që kanë filluar me u nda. Kemi Trepçën ’89 që ka një ekip të kombinuar me futbollistë të ri dhe disa me eksperiencë, po ka oscilime në lojë sepse vet komponimi i tillë nuk bie deri të një stabilitet sepse vyen kohë edhe për mu pjekur ata djem, mendoj që Trepça ’89 që do të arrijë atë. Kemi Drenicën, ku edhe kam deklaruar, dy-tri vitet e fundit luan futboll shumë të bukur e me shumë pasime të shkurta, të cilët në momente të caktuar dënohen edhe atëherë kur nuk e pret vet.  Për mu, ekip i cili për lojën që bën duhet me u respektuar.

Kemi ekipe tjetra të cilat i kemi poshtë dhe nuk kanë arritur mu konsoliduar mirë, siç është për shembull Flamurtari, Ferizaj, Dukagjini, Vushtrria, të cilat po e paguajnë faturën e asaj që nuk janë organizuar me kohë, nëse e heqim Dukagjinin i cili menjëherë prej ligës së parë ka hyrë në Superligë, ka prurë disa lojtarë, ka prurë trajnerin nga Maqedonia e Veriut, po rezulton deri me tani që ajo ka qenë e pamjaftueshme, për arsye se vetëm në xhiron e fundit e kanë fituar me Trepçën ’89 dhe i kanë katër pikë totale.

E kemi Ferizajn me investitorë të huaj dhe vendas, një shoqatë aksionare, me shumë futbollistë të cilët janë që një kohë të gjatë në Superligë, me shumë futbollistë që kanë luajtur në klubet e mira jashtë Ferizajt dhe të cilët prapë janë mbledhur në Ferizaj, nëse ia shtojmë dhe disa të cilët kanë ardhur, mendoj që janë lojtarë të cilët mundën më bartë barrën e Ferizajt në mënyrën më të mirë, për arsye se kualitetet e tyre janë dëshmuar dhe janë treguar në ekipet ku kanë luajtur më herët. E kemi Vushtrrinë që me kryetarin e mëhershëm z. Imeri ka pasur një rrugëtim prej 4-5 viteve në ligën e parë, kanë hyrë në Superligë.

Z. Imeri, si një burrë i vërtet, ka lyp mi ndihmuar edhe dikush, me qenë rreth tij, njerëz nuk kanë qenë të gatshëm dhe ai është tërheq. Kështu që ekipi deri diku ka ra dhe është shpartalluar, mirëpo tash po shohim se ky ekip edhe pse ka elemente të reja brenda ekipi, futbollistë të ri, nuk po mundem me u mbajt bash në mënyrën më të mirë me kundërshtarë në Superligë. Edhe ardhja e trajnerit, që për mua ka qenë paksa e çuditshme, sepse Bekim Shotani ka filluar kampionatin, ka kryer fazën përgatitore dhe më duke pas dy-tri xhirove është zëvendësuar, që ka qenë e papritur për mu.

Asnjëherë gjatë karrierës nuk i kam përkrahur gjëra të tilla që në afatshkurtër me u marrë kësi vendime, po shihet tani se edhe trajneri italian po ka problem me ekip, sepse sipas meje, të gjithë trajnerët që po vijnë, edhe para tyre, ka pasur trajnerë të huaj në futbollin e Kosovës, kur po vijnë këtu, mendoj se nuk e kanë idenë se çfarë kampionati po vijnë, nuk është kampionat i lehtë, është i fortë, për sy ndoshta nuk duket i bukur por është një kampionat që luhet futboll bajagi i fortë dhe bajagi agresiv, kur them agresiv, them me mjaft duele dhe kjo është mjaft problematike”, thotë Morina. Vijon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat