Morina: Duhet mi treguar z. Toma se Vushtrria është Inter i Kosovës!

Futboll

Morina: Duhet mi treguar z. Toma se Vushtrria është Inter i Kosovës!

Nga: Kemajl Goca Më: 5 tetor 2019 Në ora: 16:05
Arbnor Morina

Kosova ka nevojë për fusha të mira të futbollit, po ashtu edhe të respektohen më shumë trajnerët vendorë,  tha Arbnor Morina, ish futbollist i gjeneratës së artë të Prishtinës dhe trajner i papunë. Morinën e shqetësojnë edhe fusha që nuk mirëmbahen si duhet dhe disa prej tyre veçse kanë filluar të dëmtohen, ndërsa ka një porosi edhe për trajnerin italian Antonio Toma, i cili drejton Vushtrrinë.

“Nëse flasim për investime, atëherë investimet kisha pas qejf mu drejtuar nga fushat, sa më shumë fusha për stërvitje aq më mirë, mirëpo fusha të cilat kanë me u mirëmbajt, ku kemi shumë fusha sintetike nëpër të gjitha qytetet, të cilat nuk po mirëmbahen sepse ato fusha edhe pse janë sintetike dojnë edhe me ujit edhe gjëra tjera të nevojshme, për me qenë fusha të buta për futbollist, mos me pas lëndime, edhe duhet me u kreh etj.

Këto janë gjëra që në futbollin e Kosovës nuk po bëhen, e dijmë kush i mirëmban fushat, e dijmë që nuk janë ato klube që i mirëmbajnë, por janë kuvendet komunale, departamentet e sporteve të komunave etj. edhe ajo mirëmbajtje mungon, kështu që mos të çuditen njerëz kur lexojnë se ka aq shumë lëndime, si të nyjeve dhe ligamenteve”, thotë Morina për gazetën kombëtare “Bota sot”. Morina kërkon që të krijohen edhe ekipet U-21 që do të ishte shumë e dobishme dhe do të sjellë edhe shumë të mira për vet klubet. “Mendoj se duhet me u ndërruar sistemi i garave të kategoritë e reja, që të krijohet edhe ekipi U-21, ku kanë me luajt juniorët të cilët nuk kanë të drejtë me luajt për juniorë, edhe futbollist që nuk janë as në pankinë apo as në pankinë të ekipit i parë dhe pritet me hy, aty munden me hyrë edhe lojtarë që kanë pësuar lëndim e janë në fazën e rikuperimit dhe janë me të vjetër se 21 vjet, mundet me qenë 30 - vjeçarë por me pas drejt me luajt dy ose tri ndeshje gjatë stinorit si fazë rikuperuese derisa të kthehet në ekip, do të thotë me qenë ai ekipi si një ekip B i klubit, ku kanë me mundur me luajtur lojtarët të cilit presin me hy në ekipin e parë, sepse ai që është i mirë luan edhe me 16-17 vjet.

Po ashtu edhe këta të tjerët që nuk janë rezervë por janë në tribuna, mos me humb at ditë, as kontinuitetin e lojës që me luajt në kampionat. E treta, duhet më ndërrua edhe sistemi i mjekimit të futbollistëve apo sistemi shëndetësor brenda klubit, që në shumicën e klubeve është mjaft i dobët, por me ia arrit krejt këto gjëra, baza është të financat e shëndosha dhe të mira, që po vërehet në futbollin tonë se kanë filluar me pas financa por jo në mënyrën adekuate, sepse shpesh e kam thënë, bizneset të cilat i udhëheqin njerëzit dhe që i kanë klubet në dorë janë diametralisht të kundërta me biznesin e futbollit.

Gjithmonë e marr shembull një klub në botë, një klub që ka pasur më së paku oscilime prej krejt klubeve evropiane është Bayerni. Bayerni i Munihut ka biznesmen shumë të fuqishëm, që investojnë në klub, ka korporata të fuqishme, mirëpo njerëz të cilët e udhëheqin klubin janë ish sportist dhe ish futbollist dhe ata i japin llogari të gjithëve dhe për gjithçka”, theksoi ai.  

Ish futbollisti i gjeneratës së artë të Prishtinës, flet edhe për trajnerët vendas dhe të huaj:  “Sa i përket trajnerëve që kanë ardhur këtu, edhe më herët kam thënë, trajnerët prej Shqipërisë po vijnë në shtëpi të veten, nuk është asgjë e keqe, po vijnë në tokën e vet, në shtëpi të veten, janë të mirëseardhur, mirëpo është shumë diskutabile pse kosovarët nuk munden me shkuar në Shqipëri dhe me marr ekip.

Pse ndryshojnë gjërat kur është me u marr puna për investime kur kemi trajnerë vendas me trajnerë të huaj apo për çfarë arsye, ato janë gjërat që i diktojnë kryesitë e klubeve.

Kemi rastin që na ka ardhur trajneri italian në Vushtrri, ajo që nuk me pëlqeu është deklarata e tij, që ka refuzuar Interin për me ardh në Vushtrri. Me siguri që dikush në Vushtrri duhet mi treguar z. Toma se Vushtrria është Inter i Kosovës. Nga Vushtrria kanë dal lojtar si Besim Pantina, Lefter Prishtina, Ramadan Cimili, Ramadan Mehana, Gani Llapashtica, Isa Sadriu, Besnik Kollari, Milot Rashica së fundi etj. nëse ai ka menduar se është diçka nënçmuese për të, atëherë është gabim, sepse Vushtrria është Inter i Kosovës.

Edhe kjo është ajo që po i pengon trajnerët e huaj për me mbërri rezultat tek ne dhe ky është hapi i parë që e kanë gabuar shumë. Gjëja tjetër, në Vushtrri ekziston një tifozeri shumë e zjarrtë e cila i rrijnë klubit gjithmonë afër dhe ajo është shtytëse për ekip. Mirëpo, prapë po them, ajo çka ndodhi me ndërrimin e kryesisë dhe vonesat, e ka prurë deri këtu.

Nuk munden klubet me pas aq shumë oscilime qysh po kanë Kosovë, gjithmonë flasim për Evropë, po luan kështu, Liverpooli, Reali, Barcelona kështu, po harrojmë se çka është pas shpine, pas krejt asaj. E marrim Dinamon e Zagrebit që i ka për mbi 100 të punësuar dhe te na klubet dojnë me ekzistuar me dy-tre punëtorë. Me siguri e keni vërejt fushat në disa qytete ka filluar me u prish, çka kur të fillon tash moti me i ftohtë dhe fushat dëmtohen edhe më tepër, ku jemi?

Si mundemi me lyp futboll më të mirë prej fëmijëve apo stadiumet që jemi duke i rinovuar, ndërsa po mbërrin bota me ndërtuar stadiume për 3-4 vite, ne nuk po mundem me bërë as tribunë për 3-4 vite.

Kjo është për me u brengosur sepse koha e futbollisti është e shkurtër dhe ajo kohë fluturon. Nuk është profesion se kemi hyrë në zyre dhe me prit pensionin me 65 vjet si zotëri, ulur karrige, kompjuter përpara, në orën 12 me dal me ngrënë drekë, me u kthye  prapë punë edhe nja dy orë e me shku shtëpi. Koha e futbollistit është shumë e shkurtër, edhe për at arsye duhet mi ofruar të gjitha të mirat, që prej tij me mundur me inkasuar eventualisht diçka nëse është mall i mirë për Evropë.

Mos të harrojmë, trajnerët e Kosovës, po e them me shumë mburrje dhe botërisht, trajnerët  e Kosovës pas lufte kanë qitur lojtar të reprezentacionit, trajnerët e Kosovës kanë qitur lojtar që po luajnë në Evropë, trajnerët e Kosovës kanë bërë ekipe të cilat janë mbajtur me ekipet në regjion në mënyrën më të mirë, pse dikush nuk do me përmend apo i pengon dikujt është më ndërgjegjen e secilit, mirëpo trajnerët e Kosovës i kanë bërë të gjitha këto punë. Kështu që duhet me pasur më shumë respekt për trajnerët edhe me qenë të barabartë me investimet me trajnerët që vijnë prej jashtë”. Fund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat