Marre për Gjakovën! Blerim Vula paralajmëron...

Futboll

Marre për Gjakovën! Blerim Vula paralajmëron...

Nga: Kemajl Goca Më: 10 tetor 2019 Në ora: 12:38
Marre për Gjakovën! Blerim Vula paralajmëron...

Është marre për qytetin e Gjakovës dhe me rrethinë, që nuk mobilizohen dhe nuk organizohen, ata që munden dhe kanë mundësi financiare, që ta nxjerrin nga kriza e rëndë klubin e futbollit Vëllaznimin nga Gjakova.

Ju gjakovarë, e dini se Vëllaznimi është klub me traditë të madhe dhe dikur edhe krenari e shqiptarëve, për sukseset që kishte në Ligën e Dytë të ish Jugosllavisë (në vitet e 80-ta), grupi i Lindjes!

Vëllaznimi nuk e meriton këtë gjendje, lere që është në fund të tabelës me 4 pikë në Ligën e Parë të Kosovës, por rrezik që të shuhet. Ish sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Blerim Vula, njeriu që kontribuoi shumë, në periudha të ndryshme, ka një mesazh të qartë.

“Klubi i Futbollit “Vëllaznimi” i Gjakovës është ndër më të vjetrit në Kosovë. I themeluar para 94 vitesh (më 1925) ndërsa zyrtarisht i regjistruar para 92 vitesh (më 1927), ky klub ka kaluar nëpër faza të ndryshme të zhvillimit. Padyshim se njëra prej periudhave më të vështira është kjo aktualja.

Në fakt, ka më shumë se një gjysmë shekulli që i përcjelli rrjedhat sportive në Gjakovë e në Kosovë, dhe, nuk mbaj mend që Vëllaznimi të ketë qenë ndonjë herë në situatë më të vështirë se që është aktualisht. I ngelur pa kryetar, pa kryesi, më fond të varfër të futbollistëve dhe me zero buxhet, Vëllaznimi shumë seriozisht rrezikon të pushoi aktivitetin. Nëse në dy-tre muajt e fundit situata ka qenë e vështirë, situata aktuale është alarmante.

Prandaj, po qe se gjatë këtij pushimi 10 ditësh që ka filluar, urgjentisht nuk ndërmerret diçka për zgjidhjen afatgjate apo emergjente të kësaj situate, pasojat për klubin me traditë 94 vjeçare do të jenë shumë të rënda dhe të pariparueshme”, shkruan Vula në profilin e tij në facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat