Valon Berisha flet para ndeshjes me Malin e Zi – futemi për fitore, kemi përkrahjen e duhur

Futboll

Valon Berisha flet para ndeshjes me Malin e Zi – futemi për fitore, kemi përkrahjen e duhur

Më: 11 tetor 2019 Në ora: 19:59
Valon Berisha

Valon Berisha ka dhënë komentet e tij para ndeshjes me Malin e Zi, pas seancës stërvitore të Kosovës.

Mesfushori kosovar ka bërë të ditur se kombëtarja Dardane synon tri pikët nga përballja me malazezët, por ka thënë se nuk do ta kenë të lehtë.

Berisha e konsideron ndeshjen me Malin e Zi si një finale në vete, ku synon që me ndihmën e tifozëve të marrin tri pikët.

Më poshtë mund t’i lexoni disa nga pikat kyçe që Valoni ka shtjelluar para ndeshjes me Malin e Zi, ku disa fjalë foli edhe për kundërshtarin.

“Ndoshta është loja më e rëndësishme që luajmë si kombëtare. Është test i madh dhe e dimë se do të jetë e vështirë. Mali i Zi është kombëtare e fortë, por luajmë në shtëpi dhe kemi përkrahjen e tifozëve. Normalisht se do të shohim edhe ndeshjen që luhet sonte, por nuk duhet të fokusohemi tek ai rezultat, duhet të luajmë ‘finalen’ kundër Malit të Zi. Kjo është më e rëndësishmja, edhe pse ndeshja e radhës gjithashtu do të jetë finale” ka thënë fillimisht Berisha.

“Në ndeshjen e parë isha i lënduar dhe nuk e di si eci, por kemi luajtur baras. Besoj se do të jetë lojë e vështirë dhe do të jetë fizike, pasi lojtarët e tyre janë të fortë fizikisht. Besoj se do të jemi të përgatitur dhe shkojmë për fitore” shtoi tutje ai.

“Normal, ata nuk kanë çfarë të humbin dhe do të vijnë këtu për të marrë një rezultat pozitiv. Duhet të jemi të përgatitur dhe nuk duhet të mendojmë se kemi të lehtë pasi luajmë në shtëpi.”

Tutje lojtari i Lazio ka folur edhe për rikthimin e emrave si Milot Rashica e Vedat Muriqi, duke i konsideruar si shumë të rëndësishëm për kombëtaren.

“Janë lojtarë kyç për ne. Janë lojtarë në formë shumë të mirë.  Miloti është kthyer në formë tek Werder, kurse Vedati luan në një skuadër të madhe turke. Janë të rëndësishëm për skuadrën tonë” është shprehur Valoni

Sa i përket kundërshtarit, ai nuk pret që ata të mbyllën sikurse Gjibraltari, pasi sipas tij, nuk kanë çfarë të humbin.

“Ata nuk kanë çfarë të humbin. Vijnë për të marrë rezultat të mirë dhe jo për tu mbrojtur, përkundër Gjibraltarit që luajti vetëm për tu mbrojtur” ka thënë lojtari, para se të fliste për situatën e tij tek Lazio.

Valon Berisha luajti për rreth 60 minuta në ndeshjen kundër Gjibraltarit, duke treguar një paraqitje jo të nivelit që pati kundër Anglisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat