Deschamps tregon nëse do ta ftojë përsëri Karim Benzeman në ekipin e Francës

Futboll

Deschamps tregon nëse do ta ftojë përsëri Karim Benzeman në ekipin e Francës

Më: 13 tetor 2019 Në ora: 00:16
Karim Benzema

Mungesa e Karim Benzemës nga ekipi kombëtar i Francës është sërish në qendër të vëmendjes në mediat franceze. Në një dokumentar të transmetuar në TF1 mbrëmë, Didier Deschamps ka sqaruar pse ai s’do ta ftojë sulmuesin e Real Madridit në Kombëtare.

Marrëdhënia mes trajnerit dhe Karim Benzemas u prish pasi lojtari u bë pjesë e një skandali në vitin 2015, lidhur me një video intime, kur edhe filloi mungesa e tij në ekip kombëtar.

Deschamps la të kuptohet se Benzema nuk do të ketë të ardhme me Kombëtaren e Francës.

“Është një vendim që ka arsye sportive – për ta thënë këtë sa më thjesht, nuk mendoj se një ftesë për të do të ishte diçka e mirë për ekipin kombëtar”, ka thënë Deschamps.

“Unë e bazoj vendimin tim te ajo që unë mendoj që është në interesin më të mirë të Francës dhe për atë që mendoj se ka domethënie përfaqësimi i vendit dhe kjo është e gjitha”, shtoi trajneri i Francës.

Për shkak të Rastit Valbuena, Benzema e ka pothuajse të pamundur të luajë më për Kombëtaren e Francës për aq kohë sa trajner do të jetë Deschamps. Kjo gjë u vendos kur Benzema u la jashtë skuadrës për EURO 2016, që i kishte nxitur prentedimet e tifozëve të Real Madridit se Deschamps i ishte dorëzuar pjesës raciste të Francës.

Benzema vetëm sa e përkeqësoi këtë marrëdhënie të tij me Deschamps më 1 qershor të vitit 2016, kur në një intervistë me të përditshmen spanjolle, Marca, e kritikoi trajnerin francez.

“Deschamps është dorëzuar para presionit nga pjesa raciste e Francës”, kishte thënë Benzema në atë intervistë.

Mirëpo, për trajnerin francez, i cili arriti ta fitojë titullin e turneut të Kupës së Botës, kjo deklaratë ishte e tepërt.

“Disa njerëz mund të thonë gjëra të cilat mund të kenë pasoja dhe që shkojnë përtej çfarëdo kuptimi. Unë nuk mund ta harroj atë gjë asnjëherë. Në atë moment, unë mendoj se ai e teproi”, ka thënë Deschamps.

“Unë i zgjedh lojtarët francezë, ata janë të gjithë francezë. Kurrë nuk më ka shkuar në mendje se unë mund të mos e zgjedh një futbollist për shkak të fesë së tij apo racës”.

Në 24 ndeshje të këtij sezoni, në La Liga dhe në Ligën e Kampionëve, Benzema ka arritur t’i shënojë 10 gola.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat